Kryepeshkopi i Varshavës i kërkon Vatikanit shkarkimin e një prifti pasi akuzohet për vra*jen e një personi të pastrehë

Një ngjarje ka tronditur opinionin publik në Poloni, ku një prift akuzohet për vrasjen brutale të një personi të pastrehë.
Kryepeshkopi i Varshavës, Adrian Galbas, i është drejtuar zyrtarisht Vatikanit për shkarkimin përfundimtar të priftit, një masë që përbën ndëshkimin më të rëndë për një klerik sipas ligjit kishtar.
Ngjarja ndodhi më 24 korrik në qytetin Radom. Sipas autoriteteve, viktima 68-vjeçare, Anatol J., dyshohet se është goditur me sëpatë dhe më pas është djegur i gjallë.
I dyshuari, një prift i identifikuar si Miroslav M., ndodhet aktualisht në paraburgim, në pritje të gjykimit.
Ai përballet me akuzën e vrasjes me egërsi të veçantë, për të cilën rrezikon nga 15 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
Sipas hetimeve, prifti dhe viktima ndodheshin në të njëjtën makinë kur mes tyre nisi një konflikt.
Sherri dyshohet të ketë lidhje me një marrëveshje për kujdes të përjetshëm që prifti i kishte premtuar viktimës.
Prokuroria thotë se Miroslav M. e goditi viktimën në kokë me sëpatë, e spërkati me lëndë djegëse dhe i vuri flakën. Më pas u largua, sapo pa një biçikletist që po i afrohej.
Ishte pikërisht biçiklisti që e gjeti viktimën ende të përfshirë nga flakët dhe njoftoi autoritetet.
“Autopsia tregoi se viktima kishte djegie në 80% të trupit dhe plagë të rënda në kokë, të shkaktuara nga një objekt i rëndë dhe i mprehtë”, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Radomit.
Pas detajeve të tmerrshme që dolën nga hetimi, Kryepeshkopi Galbas kërkoi zyrtarisht nga Selia e Shenjtë që prifti të shkarkohet nga detyra kishtare, duke theksuar se Kisha duhet të marrë përgjegjësi të plotë për veprime të tilla.

