Kryeministri i Spanjës nuk arrin të gjejë mbështetje për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen

Kryeministri i Spanjës nuk arrin të gjejë mbështetje

Përpjekjet e Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, për të mbledhur mbështetje për një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen, u përballën me një rezistencë të madhe nga partitë e opozitës të enjten.

Sanchez u takua me forcat politike kyçe të Spanjës në Kongresin e Deputetëve, përveç partisë Vox, për të diskutuar për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë dhe propozimin e qeverisë për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, raporton El Confidencial.

Ndërkohë që ai insistoi se Spanja do të arrijë objektivin e NATO-s për të investuar të paktën 2% të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2029, ai nuk arriti të sigurojë një konsensus të gjerë mbi planin, me liderët e opozitës, që vënë në pikëpyetje mundësinë dhe kohën e rritjes së propozuar.

Angazhimi i Sanchez për të avancuar shpenzimet për mbrojtjen, duke ruajtur politikat sociale, ngriti shqetësime të menjëhershme, veçanërisht nga partitë e opozitës.

"Ne nuk do të presim asnjë euro nga kohezioni social," siguroi ai, por figurat e opozitës shprehën dyshime mbi aftësinë e qeverisë për të balancuar këto angazhime.

Gjatë takimit, ai bëri një thirrje të qartë për startup-et, sipërmarrësit dhe bizneset e vogla dhe të mesme që të angazhohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin teknologjik të industrisë së mbrojtjes së Spanjës.

Megjithatë, mesazhi i tij duket se nuk ka pasur shumë mbështetje, pasi nuk ka pasur shumë pajtim mbi mënyrën se si të financohen iniciativa të tilla ambicioze pa sakrifikuar fusha të tjera thelbësore, duke përfshirë shërbimet sociale.

Partia Popullore (PP) në veçanti shprehu frustrim me qasjen e Sanchez, me burime pranë partisë që e përshkruan takimin si të pa produktiv.

"Ne po dalim ashtu siç hyjmë," tha një zëdhënës, duke theksuar mungesën e progresit të rëndësishëm.

Kreu i partisë, Alberto Nunez Feijoo, tha se çështja e mbrojtjes është më e madhe se vetëm qeveria aktuale, duke theksuar se debati kërkon një qasje dypartiake.

"Është një sfidë që e kalon mandatin e tij, qeverinë e tij dhe atë," tha Feijoo pas takimit.

Ndërkohë, deputeti i UPN, Alberto Catalan, kërkoi një proces më të formalizuar, duke e nxitur Sanchez që të kalojë rritjen e mbrojtjes përmes Kongresit dhe të negociojë planin me PP.

Catalan theksoi se mbrojtja dhe politika e jashtme nuk duhet të përcaktohen nga një qeveri pakicë dhe çdo plan duhet të ketë mbështetje më të gjerë për të shmangur dëmimin e procesit demokratik të Spanjës.

Sanchez përsëriti se rritja e propozuar e shpenzimeve për mbrojtjen nuk do të ndikojë në angazhimin e qeverisë për mirëqenien sociale. Megjithatë, shumë mbeten të pa bindur se dy objektivat mund të ndjekin njëkohësisht.

Angazhimi i tij për të shmangur prerjet në programet sociale erdhi në një moment të sfidave ekonomike dhe shqetësimit të shtuar publik, për qëndrueshmërinë e shpenzimeve të qeverisë.

Dështimi i qeverisë për të siguruar mbështetje të gjerë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, ka ngritur dyshime mbi realizueshmërinë e arritjes së objektivit të NATO-s.

Ndërkohë që Sanchez insiston se Spanja është "gati" për të kontribuar, mungesa e konsensusit mbi kohën dhe financimin e një rritjeje të tillë lë politikën e mbrojtjes të Spanjës në pasiguri.

Përballë opozitës në rritje, Sanchez ka premtuar të vazhdojë diskutimet me grupet parlamentare në përpjekje për të miratuar një Buxhet të Ri të Shtetit për vitin 2025.

Megjithatë, ndërkohë që klima politike bëhet gjithnjë e më e polarizuar, mbetet e paqartë nëse kryeministri mund ta bashkojë vendin pas agjendës së tij ambicioze për mbrojtjen.

EMISIONET