Kriza ushqimore dhe emigrantët, Draghi vizitë zyrtare në Turqi, takim me Erdogan

Kryeministri italian Mario Draghi ka nisur sot një vizitë zyrtare pune në Turqi ku do të takohet me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.
Ai ndodhet në Ankara për të marrë pjesë dhe në konferencën ndërqeveritare Turqi-Itali, e treta kjo në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Një konferencë e tillë është mbajtur për herë të fundit në maj të vitit 2012 në Romë.
Kjo vizitë zyrtare zhvillohet në një panoramë të rëndësishme marrëdhëniesh mes dy vendeve, bashkëpunuese e intesive në shumë fronte.
Lufta në Ukrainë i ka bërë akoma më të vazhdueshme kontaktet mes ministrave të jashtëm të dy vendeve e në këtë vizitë pune kryeministri italian shoqërohet nga ministri i Jashtëm Luigi Di Maio, si dhe nga ministrja e Brendshme lamorgese, ministri i Mbrojtjes Guerrini, ministri i Zhvillimit Ekonomik Giorgeti si dhe nga ministri i Zhvillimit teknologjik dhe inovacionit Cingolani.
Konferenca ndërqeveritare pritet të jetë një mundësi e rëndësishme për të koordinuar impenjimet e dy vendeve në përballimin e pasojave që po shkakton konflikti në Ukrainë e me një vëmendje të veçantë në krizën ushqimore dhe në situatën në Libi.
Një tjetër pikë e axhendës së këtë konferencë do të jetë dhe çështja e emigrantëve. Gjatë vitit 2021 në Itali janë trefishuar emigrantët klandestinë që mbërrijnë nga rruga e Mesdheut Lindor e që nisen nga Turqia.
Turqia është partneri i parë ekonomik për Italinë në territorin e Lindjes së Mesme e Afrikën e Veriut, e gjatë 2021 shkëmbimi tregtar mes tyre shënoi 19.4 miliardë euro e 27.7% më shumë se sa një vit më parë. Ndërsa eksporti italian u rrit me 23.6% me një vlerë 9.5 miliardër euro.
Investimet italiane në Turqi arrijnë në 6 miliardë dollarë e sipas Ministrisë turke të Tregtisë janë 1500 kompani italiane me aktivitet të tyre në Turqi.
Turqia është gjithashtu dhe një partner strategjik për Italinë në fushën e energjisë e në realizimin e gazsjellësit TANAP.


