Kreu ndërhyrje kirurgjikale mbi një pacient të prekur nga Ebola, mjekja italiane po monitorohet për simptoma

Një kirurge italiane që është kthyer nga Republika Demokratike e Kongos është vendosur nën mbikëqyrje mjekësore pasi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me një rast të dyshuar me virusin Ebola.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Itali, mjekja nuk ka shfaqur simptoma dhe gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, por ajo do të qëndrojë në vëzhgim për disa ditë sipas protokolleve të sigurisë.
Rasti lidhet me një ndërhyrje kirurgjikale të kryer më 16 maj mbi një fëmijë të plagosur në Republikën Demokratike të Kongos, i cili më pas është testuar për Ebola, duke ngritur shqetësime për kontaktet e mundshme me virusin.
Autoritetet italiane sqarojnë se në vend nuk ka raste të konfirmuara të Ebolës dhe rreziku për përhapje mbetet i ulët.
Ndërkohë, në Republikën Demokratike të Kongos situata mbetet e vështirë. Raportohet për qindra raste të dyshuara dhe rreth 220 viktima të lidhura me shpërthimin e sëmundjes, ndërsa mungesa e infrastrukturës dhe kushtet e luftës po e vështirësojnë punën e ekipeve shëndetësore në terren.


