Koreja e Veriut ndalon të huajt të hyjnë në resortin bregdetar disa javë pas hapjes

Koreja e Veriut ka njoftuar se vendpushimi i saj bregdetar i sapohapur nuk do të presë turistë të huaj. Zona Turistike Bregdetare e hapur më 1 korrik, është cilësuar si një pjesë kyçe e ambicieve të udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un për të nxitur turizmin.
Në prag të hapjes së tij, vendpushimi u promovua si një atraksion si për vendasit ashtu edhe për të huajt. Por që nga kjo javë, një njoftim në faqen e internetit të turizmit të Koresë së Veriut thotë se të huajve nuk u lejohet "përkohësisht" ta vizitojnë.
Wonsan, një qytet përgjatë bregdetit lindor të Koresë së Veriut, është shtëpia e disa prej objekteve raketore të vendit dhe një kompleksi të madh detar. Është gjithashtu vendi ku Kim kaloi pjesën më të madhe të rinisë së tij, midis vilave të pushimeve që i përkisnin elitave të vendit.
Resorti i ri bregdetar ka rreth 4 km të bregdetit të tij me hotele, restorante, qendra tregtare dhe një park ujor. Sipas mediave shtetërore, ai ka një kapacitet prej rreth 20,000 personash. Megjithatë, që kur filloi ndërtimi i resortit në vitin 2018, grupet e të drejtave të njeriut kanë protestuar kundër keqtrajtimit të supozuar të punëtorëve të tij. Ata vënë në dukje raportet për njerëz që detyrohen të punojnë me orë të gjata për të përfunduar projektin masiv, në kushte të vështira dhe kompensim të pamjaftueshëm.
Vitin e kaluar, Koreja e Veriut lejoi turistët rusë të vizitonin Korenë e Veriut pas një pezullimi prej disa vitesh të turizmit gjatë pandemisë. Në shkurt, Koreja e Veriut filloi të priste gjithashtu turistë nga Perëndimi, përfshirë Australinë, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ajo e ndaloi papritur turizmin disa javë më vonë, pa thënë arsyen.

