Koreja e Veriut ka gati raketën balistike ndërkontinentale, Seuli: Mund të godasë deri në SHBA

Koreja e Veriut ka gati raketën balistike ndërkontinentale, Seuli:

Koreja e Veriut është në “fazën përfundimtare” të zhvillimit të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) e aftë për të goditur Shtetet e Bashkuara.

Kështu deklaroi të enjten Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, gjatë një vizite në Bursën e Nju Jorkut, sipas mediave të Seulit.

“Pheniani ka vazhduar të zhvillojë raketa balistike ndërkontinentale për të rritur ndikimin në bisedimet me SHBA-të dhe për të forcuar regjimin e vet,” theksoi Lee.

Sipas tij, Koreja e Veriut ende nuk ka përfunduar plotësisht teknologjinë e rihyrjes në atmosferë, një komponent kyç për funksionalitetin e raketave, por është shumë afër përfundimit të saj.

Presidenti Lee nënvizoi se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Koresë së Jugut dhe aleatëve perëndimorë për të ndaluar programin bërthamor të Phenianit, përparimet teknologjike të regjimit të Kim Jong-un kanë vijuar me intensitet. Ai shtoi se Koreja e Veriut po prodhon mjaftueshëm material të ndashëm për të ndërtuar rreth 15 deri në 20 bomba bërthamore çdo vit.

Që nga marrja e detyrës në qershor, Presidenti Lee ka promovuar një qasje më të butë në përpjekje për të ulur tensionet me Veriun. Në fjalën e tij në Nju Jork, ai tha se objektivi kryesor duhet të jetë ngrirja e zhvillimit dhe eksportit të armëve bërthamore dhe raketave ndërkontinentale. “Ndërprerja e prodhimit dhe zhvillimit të mëtejshëm do të sillte përfitime të konsiderueshme për sigurinë globale,” deklaroi ai.

EMISIONET