KINA PO KTHEHET NGA HËNA/ Anija kozmike po kthehet drejt Tokës, me rreth 2 kg mostra
Pas uljes me sukses për herë të parë në anën e largët të Hënës, misioni kinez është nisur paraditen e kësaj të martë drejt Tokës. Ai ka mundur të mbledhë rreth 2 kg mostra, që do të krahasohen me rajonet e tjera

Kina ka hedhur me sukses një tjetër hap drejt finalizimit të misionit historik në Hënë.
Anija e saj kozmike pa ekuipazh, e para në botë që arriti të zbarkonte në anën më të largët, është nisur mëngjesin e kësaj të marte drejt Tokës dhe pritet të mbërrijë më 25 qershor.
“Chang'e-6” ka kaluar dy ditë në rajonin Aitken duke siguruar rreth 2 kg material gurë dhe brenda një ene vakuumi, që mendohet se janë mostra nga bërthama dhe disa prej shkëmbinjve më të vjetër të Hënës.
Administrata Kombëtare Kineze e Hapësirës e quajti një sukses të madh misionin, duke shtuar se shkencëtarët në Pekin do të jenë të parët që do të kenë mundësinë të krahasojnë materialin e siguruar me atë të mbledhur nga rajonet e tjera. Në vitin 2020 Kina solli 1.7 kg mostra nga ana e afërt e planetit.
Kina po planifikon tre misione të tjera pa ekuipazh këtë dekadë, ndërsa kërkon ujë në Hënë dhe po heton ngritjen e një baze të përhershme atje. Vendi tashmë ka stacionin e tij hapësinor të njohur si Tiangong ose Pallati Qiellor.
Strategjia më e gjerë e Pekinit synon të shohë një astronaut kinez të ecë në Hënë rreth vitit 2030. SHBA synon gjithashtu të rivendosë astronautët në Hënë, me NASA që synon të nisë misionin e saj Artemis-3 në 2026.


