Kina përjashton nga Kongresi Kombëtar i Popullit disa zyrtarë të lartë dhe gjeneralë

Autoritetet kineze kanë përjashtuar disa zyrtarë të lartë nga Kongresi Kombëtar i Popullit, organi më i lartë shtetëror dhe parlamenti i Kinës, i cili përbëhet nga afro 3 000 delegatë.
Mes 13 zyrtarëve të prekur nga vendimi janë edhe gjashtë gjeneralë të ushtrisë, përfshirë Xu Xueqiang, i cili ishte përgjegjës për zhvillimin e pajisjeve ushtarake në Komisionin Qëndror Ushtarak, organi që drejton forcat e armatosura kineze.
Në njoftimin e bërë sot publik parlamenti nuk dha arsye zyrtare për largimin e tyre. Pas këtij vendimi, numri i delegatëve të Kongresit Kombëtar Popullor ka zbritur në 2 858.
Edhe në muajin shkurt, pak para sesionit vjetor të parlamentit, disa zyrtarë të lartë ushtarakë u përjashtuan nga ky institucion.
Prej disa vitesh, presidenti Xi Jinping, i cili drejton edhe Komisionin Qendror Ushtarak, po zhvillon një fushatë të gjerë kundër korrupsionit, e cila ka prekur një numër të madh gjeneralësh dhe zyrtarësh të lartë të ushtrisë.
Ndër rastet më të njohura janë hetimet ndaj dy zëvendëskryetarëve të Komisionit Qendror Ushtarak, Zhang Youxia dhe He Weidong.
Nga shtatë anëtarët fillestarë të këtij organi, vetëm Xi Jinping dhe kreu i komisionit disiplinor, Zhang Shengmin, mbeten ende në detyrë.
Nga parlamenti u përjashtua edhe Ma Xingrui, anëtar i Byrosë Politike të Partisë Kommuniste kineze.
Autoritetet kineze kishin bërë të ditur më herët se ndaj tij ishte hapur një hetim.
Shenjat e para të problemeve u shfaqën që në fund të vitit të kaluar, kur ai mungoi në disa takime dhe aktivitete zyrtare.


