Kaosi në Sudan, thirrje nga OKB-ja dhe Shtetet e Bashkuara: Ndaloni menjëherë përleshjet!
Në Sudan, i dërguari i Kombeve të Bashkuara Volker Perthes u ka bërë thirrje ushtarëve dhe paraushtarakëve që të ndalojnë "menjëherë" luftimet në Khartoum dhe zona të tjera të vendit.
“Perthes ka kontaktuar të dyja palët për të kërkuar një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive për sigurinë e popullit sudanez dhe për të kursyer vendin nga dhuna e mëtejshme”, thuhet në një deklaratë nga misioni i Kombeve të Bashkuara.
Nëpërmjet Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar gjithashtu Sudanit që të "ndalojë menjëherë çdo dhunë".
Në Sudan po zhvillohen përleshje midis ushtrisë së rregullt dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, të lidhur me grupin privat rus Ëagner.
Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit njoftuan se kanë nën kontroll pallatin presidencial, rezidencën e kreut të ushtrisë dhe aeroportin ndërkombëtar në Khartoum. Një luftë e re civile duket se po fillon sërish në vendin afrikan.