Kanada/ 19 milionë hektarë tokë janë djegur deri tani, zjarri rrezikon të përhapet në shtetet e SHBA-së

Tymi i dendur nga zjarret pyjore që kanë përfshirë tri provinca kanadeze po përhapet në shtetet e Mesperëndimit të Shteteve të Bashkuara, duke ringjallur kujtime të ndotjes së rëndë të ajrit gjatë sezonit katastrofik të zjarreve dy vjet më parë.
Grimcat e tymit, të cilat konsiderohen një nga ndotësit më të rrezikshëm për shëndetin mjedisor, po lëvizin drejt Minesotës dhe shteteve përreth.
Ekspertët parashikojnë se ndotja e ajrit do të arrijë brenda ditësh në qytete të Bregut Lindor, përfshirë Nju Jorkun, duke vënë në rrezik miliona njerëz që jetojnë në ato zona.
“Materia grimcore në ajër është rreziku më serioz për shëndetin që njohim,” thotë Doug Brugge, studiues i shëndetit publik në Universitetin e Connecticut.
Ai paralajmëron se grimcat shkaktojnë dëmtime serioze në sistemin kardiovaskular, frymëmarrje dhe nervor, ndërsa niveli i grimcave në ajër është shumë më i lartë sesa zakonisht në Shtetet e Bashkuara.
Qendra Kanadeze e Zjarreve Pyjore njofton se që nga fillimi i majit janë regjistruar mbi 200 zjarre aktive në Kanada, prej të cilave 106 janë jashtë kontrollit.
Deri tani janë djegur rreth 19 milionë hektarë tokë, kryesisht në provincat Alberta, Saskaçevan dhe Manitoba.

