Kamboxhia do të fillojë rekrutimin ushtarak në vitin 2026, ndërsa tensionet kufitare me Tajlandën vazhdojnë

Kamboxhia do të zbatojë për herë të parë rekrutimin ushtarak duke nisur nga viti 2026, në përputhje me një ligj të miratuar në vitin 2006, por që nuk ishte aktivizuar kurrë.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Hun Manet të hënën, në një deklaratë që përkon me rritjen e tensioneve kufitare me Tajlandën, pas një përplasjeje të armatosur më 28 maj, ku u vra një ushtar kamboxhian në një zonë të kontestuar.
Sipas ligjit, kamboxhianët e të dy gjinive të moshës 18 deri në 30 vjeç duhet të kryejnë shërbimin ushtarak, ndërsa për gratë ai mbetet vullnetar.
Kryeministri, i cili është edhe gjeneral me katër yje, tha se rekrutimi do të ndihmojë në përmirësimin e profesionalizmit dhe efikasitetit të ushtrisë, në një kohë kur nevojat për siguri janë rritur.
“Ky është angazhimi ynë”, deklaroi ai gjatë një fjalimi në provincën Kampong Chhnang.
Marrëdhëniet mes Kamboxhias dhe Tajlandës janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, duke nxitur veprime ushtarake dhe deklarata të ashpra.
Tensionet kulmuan me pezullimin e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra pas një telefonate me ish-kryeministrin kamboxhian Hun Sen, e publikuar nga ky i fundit, në të cilën ajo u shpreh me përçmim ndaj ushtrisë së vendit të saj.
Hun Manet kërkoi gjithashtu rritje të buxhetit për mbrojtjen, ndërkohë që vendi ka një buxhet të përgjithshëm prej 9.32 miliardë dollarësh për vitin 2025, nga të cilët 739 milionë i janë dedikuar mbrojtjes.
Ai i bëri thirrje Tajlandës të rihapë pa kushte pikat kufitare të mbyllura muajin e kaluar, duke premtuar reciprocitet të menjëhershëm nga pala kamboxhiane.
Sipas vlerësimeve, Kamboxhia ka rreth 200,000 forca të armatosura, përfshirë edhe policinë ushtarake, ndërsa Tajlanda numëron rreth 350,000 trupa aktive dhe ka një sistem rekrutimi të detyrueshëm për burrat që mbushin 20 vjeç.

