JORDANIA KERKESË RUSISË/ Amman i kërkon Moskës të ndalojë rekrutimin e qytetarëve jordanezë
Jordania i ka kërkuar zyrtarisht Rusisë të ndalojë rekrutimin e qytetarëve të saj në ushtrinë ruse, pasi dy jordanezë u vranë në luftë. Ministria e Jashtme e quan procesin shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të legjislacionit jordanez. Amman paralajmëron se çdo përpjekje për rekrutim u ekspozon qytetarët ndaj rrezikut ligjor dhe fatal.

Jordania ka reaguar ashpër ndaj raportimeve se qytetarë të saj po rekrutohen për të luftuar në krah të ushtrisë ruse. Pas konfirmimit se dy shtetas jordanezë janë vrarë gjatë luftimeve, Amman i ka kërkuar zyrtarisht Moskës të ndalojë menjëherë çdo proces rekrutimi.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Jordanisë e përshkruan këtë rekrutim si “shkelje të ligjit jordanez dhe ligjit ndërkombëtar”, duke theksuar se ai i vë qytetarët përballë rrezikut të drejtpërdrejtë.
Zëdhënësi i ministrisë, Fuad al-Majali, u ka bërë thirrje të gjithë jordanezëve që të raportojnë çdo tentativë për t’i tërhequr në shërbimin ushtarak rus.
Autoritetet thonë se kanë identifikuar edhe përpjekje për rekrutim online, një praktikë që po synon jordanezët që jetojnë në Rusi ose më herët kanë studiuar në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Sipas të dhënave jozyrtare, qindra jordanezë ndodhen aktualisht në Rusi, ndërsa mbi 20 mijë kanë studiuar në rajon gjatë dekadave të fundit.
Që në fillimet e pushtimit të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin kishte bërë të ditur se Rusia ishte e gatshme të pranonte mijëra luftëtarë vullnetarë nga Lindja e Mesme.
Më vonë, raportimet folën për rreth 2 mijë ushtarë sirianë të dërguar drejt Rusisë.
Ligji i Jordanisë ndalon qartë pjesëmarrjen e shtetasve të saj në forca të armatosura të huaja.
Prandaj, Amman kërkon jo vetëm pezullimin e menjëhershëm të rekrutimit, por edhe lirimin nga shërbimi të çdo jordanezi që mund të jetë regjistruar tashmë në ushtrinë ruse.


