Izraeli shpall zonë humanitare në jug të Gazës, banorëve u është bërë thirrje të zhvendosen sa më shpejt

Ndërsa përgatitet për një ofensivë të madhe në qytetin e Gazës, ushtria izraelite ka shpallur një zonë bregdetare në jug të Rripit të Gazës si “zonë humanitare”.
Zëdhënësi i ushtrisë njoftoi sot në rrjetin X se zona al-Mawasi, pranë qytetit Khan Younis, përmban infrastrukturë humanitare të domosdoshme si spitale fushore, tuba uji dhe impiante uji.
Ai tha se atje do të shpërndahet gjithashtu ndihmë humanitare. Banorëve të qytetit të Gazës, në pjesën veriore të Rripit, u është bërë thirrje të zhvendosen sa më shpejt në zonën al-Mawasi.
Kjo zonë ishte shpallur për herë të parë humanitare në dhjetor 2023, kur ushtria izraelite po përqendronte ofensivën kundër forcave të Hamasit në veri të Gazës.
Ndërkohë, ushtria izraelite po përgatit një ofensivë të gjerë kundër forcave të Hamasit në qytetin e Gazës. Ditët e fundit, sulmet ajrore janë intensifikuar ndjeshëm. Ky plan është i diskutueshëm si brenda Izraelit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas vlerësimeve, në qytetin e Gazës jetojnë afërsisht një milion persona. Deri tani, më pak se 100 mijë janë larguar nga qyteti për shkak të ofensivës së paralajmëruar.

