Italia nis në dhjetor vaksinimin e fëmijëve nën 12 vjeç

Brenda muajit dhjetor Italia do të nisë vaksinimin e fëmijëve nën moshën 12 vjeç.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisari i Jashtëzakonshëm për Emergjencën Shëndetësore Francesco Figliuolo e nga kryetari i Komisionit tekniko-shkencor pranë qeverisë italiane, Profesor Franco Locatelli.
Sipas tij "fëmijët nën moshën 12 vjeç, duhet të mbrohen edhe pse nuk shfaqin efekte të rënda e afatgjatë nga virusi, e vaksinimi i tyre mund të reduktojë qarkullimin viroz.
Është hera e parë që në një dokument zyrtar flitet për vaksinimin e fëmijëve nën moshën 12 vjeç e që iu është shpërndarë të gjitha rajoneve italiane.
Sipas Komisarit të emergjencës pandemike, pritet që në muajin dhjetor kompania farmaceutike Pfizer Biontech të aprovojë vendimin për të vaksinuar dhe fëmijët nga 5 në 11 vjeç.
Vaksina e sotme Pfizer lejohet vetëm për moshat mbi 12 vjeç e sipër.
Vendimi i autoriteteve italiane është motivuar nga rritja e theksuar e ditëve të fundit, e numrit të të infektuarve në moshën nën 19 vjeç.
Në çdo 4 persona të infektuar, një prej tyre është nën 19 vjeç e në këtë grupmoshë, rreth gjysma e të infektuarve është nga 6 në 11 vjeç.
Në 24 orët e fundit Italia ka regjistruar mbi 5 mijë të infektuar, mes tyre ka një numër të lartë fëmijësh nën moshën 11 vjeç e koeficienti i infektimit në shumë rajone është preokupuese, duke kapërcyer kuotën RT 1.15.
Deri më sot Covid 19 ka shkaktuar në Itali 17 viktima fëmijë në moshën nën 10 vjeç.
E vetëm në dy javët e para të muajit tetor janë 84 fëmijë të shtruar në spitale të infektuar nga koronavirusi e vetëm 1 prej tyre është në kurim në repartin e terapisë intesive.


