Italia u thotë fëmijëve: Ciao ciao!

Italia u thotë fëmijëve: Ciao ciao!

Italia ka një prej normave më të ulëta të lindshmërisë në Europë dhe situata me Covid duket se e ka keqësuar situatën.

Vitin e kaluar, popullsia italiane u tkurr me 400 mijë veta duke arritur në 59 milionë, u rritën vdekjet, ranë lindjet dhe u ngadalësua numri i emigrantëve.

Mësuesja e shkollës fillore, Daniela Viçino, thotë se është i dukshëm ndryshimi me të kaluarën.

"Në 30 vitet e fundit kam vënë re një rënie të numrit të regjistrimeve në shkollë. Kjo është bërë më e qartë në 10 vitet e fundit. Kemi shkuar nga klasat me 28-29 nxënës mesatrisht, në 18-20 nxënës maksimumi, madje edhe 15-16," thotë Daniela Vicino, mësuese në shkollë fillore.

Familja e vjetër italiane kishte tre fëmijë, ndërsa në kohët e sotme, ky numër ka zbritur në 1 ose jo më shumë se 2, mesatarisht.

Në qytetin Kaltaxhirone, në qendër të Siçilisë, lindshmëria është më e ulëta në 20 vite, nga 532 foshnja në 265 foshnja në vit në 2019-ën.

Te rënia demografike kanë ndikuar divorcet, por ka edhe arsye ekonomike.

"Kur e ke të vështirë të gjesh një pune, një situatë stabël, që duhen për të ndërtuar një familje, atëherë edhe vendos të mos kesh fëmijë," thotë një banor.

"Po të kisha kushtet e duhura ekonomike, sociale dhe psikologjike për fëmijë, ose do e lindja vetë ose do e adoptoja. Por kjo nuk besoj se ka për të ndodhur në 10 vitet e ardhshme," thotë një studente.

Lindshmëria e ulët po shqetëson të gjitha shoqëritë perëndimore, por kërcënimi është më i madh për Italinë, ekonomia e së cilës edhe tani po jep shenja të ngadalësimit.

Kryeministri Mario Dragi ka premtuar më shumë çerdhe, përkrahje për gratë në punë dhe për çiftet e reja si pjesë e planit 221 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e vendit nga pandemia.

Për 2021-in, ISTAT pret rënie të mëtejshme të numrit të foshnjave të lindura si pasojë e krizave të reja socio-ekonomike që ka krijuar pandemia.

EMISIONET