Indonezia e gatshme të njohë Izraelin në këmbim të shtetit palestinez

Indonezia është gati të njohë zyrtarisht shtetin e Izraelit dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike nëse arrihet një zgjidhje me dy shtete që siguron krijimin e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, deklaroi presidenti indonezian, Prabowo Subianto.
“Unë kam shprehur qëndrimin e Indonezisë se ne e konsiderojmë zgjidhjen me dy shtete si rrugën e vetme drejt paqes së vërtetë”, u tha Prabowo gazetarëve në një konferencë të përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Pavarësia e popullit palestinez është e vetmja mënyrë për të arritur paqe të vërtetë. Por paralelisht, unë gjithashtu e kam bërë të qartë se ne duhet ta njohim dhe garantojmë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si një shtet sovran”, theksoi presidenti indonezian.
Indonezia, shtëpia e popullsisë më të madhe myslimane në botë, ka qenë prej kohësh një mbështetëse e vendosur e sovranitetit palestinez dhe nuk mban marrëdhënie diplomatike zyrtare me Izraelin.
“Ne besojmë se siguria dhe sovraniteti i Izraelit duhet gjithashtu të respektohen dhe mbrohen. Prandaj, Indonezia ka komunikuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në njohjen e Palestinës nga Izraeli. Dhe ne jemi gati ta njohim Izraelin dhe të vendosim marrëdhënie diplomatike”, vazhdoi Prabowo.


