IAEA konfirmon sulmin ndaj objekteve të prodhimit të centrifugave në Iran

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së tha sot se Izraeli kishte goditur dy vende që prodhojnë pjesë për centrifuga që pasurojnë uraniumin, në Iran.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) i identifikoi objektet si kompleksi “TESA Karaj” dhe Qendra Kërkimore e Teheranit, duke shtuar se të dyja kishin qenë nën monitorimin e agjencisë.
“Në Teheran, u godit një ndërtesë ku prodhoheshin dhe testoheshin rotorë të avancuar të centrifugave. Në “TESA Karaj”, u shkatërruan dy ndërtesa ku prodhoheshin komponentë të ndryshëm të centrifugave”, shkroi IAEA në X.
Ushtria izraelite tha sot në mëngjes se avionët e saj luftarakë kishin goditur vendet e prodhimit të centrifugave dhe raketave, në Iran. “Më shumë se 50 avionë kryen sulmet në zonën e Teheranit”, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në një deklaratë.

