Rusia ‘shantazhon’ Biden, sulmohet Lvivi, 70 km larg nga kufiri polak ku ndodhej Presidenti amerikan

Qyteti historik i Lvivit ka regjistruar sërish sulme nga forcat ruse, por këtë herë edhe në qendrat e banuara. Kryebashkiaku i qytetit pretendon se sulmet ruse kanë qenë një mesazh për presidentin Joe Biden i cili ndodhej në Poloni.
Forcat ruse kanë qëlluar qytetin perëndimor të Lvivit në Ukrainë. Disa banesa u dogjën si pasojë e shpërthimit të raketave të rënda.
Kryebashkiaku i Lvivit, Andrij Sadovj tha në një prononcim për mediet se sulmi i rusëve ishte një mesazh për presidentin Biden i cili ndodhej 70 kilometër larg.
"Me goditjet e sotme, agresorët duan t'i thonë përshëndetje Presidentit Biden i cili aktualisht ndodhet në Poloni. Lviv është vetëm 70 km nga kufiri polak dhe mendoj se bota duhet të kuptojë se kërcënimi është shumë shumë serioz".
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes forcat ruse janë duke sulmuar edhe qytete të tjera të Ukrainës.
Por Lvivi dhe zona të tjera perëndimore kanë qenë zona rehabilituese për ata që vijnë nga lindja e vendit.
E krahas infrastrukturës ushtarake, tashmë po goditen edhe zona me popullsi të dendur.
Guvernatori i rajonit të Lvivit tha se forca ruse qëlluan një depo karburanti në një zonë banimi.
"Sot janë goditur dy objekte infrastrukturore kritike. Njëra prej tyre është një depo karburanti në qytetin e Lviv, në një zonë banimi, e dyta një objekt mbrojtës, një impiant që ndodhet gjithashtu në një zonë banimi. Ka pasur dy goditje në secilën prej tyre”.
Si pasojë e sulmeve të fundit në Lviv, sipas guvernatorit janë plagosur pesë persona dhe nuk raportohet për viktima megjithëse zgjedhja për të goditur një qytet të banuar është një vijë e kuqe për Perëndimin.

