HORMUZI DREJT HAPJES/ SHBA dhe Irani afër një marrëveshjeje për tensionet në Gjirin Persik
Diplomacia mes Uashingtonit dhe Teheranit duket se po hyn në një fazë vendimtare. Dy vendet duket se kanë arritur një marrëveshje paraprake që synon hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e një procesi të ri negociatash për programin bërthamor iranian. Megjithatë, dokumenti ende nuk është finalizuar dhe mësohet se pret firmën e presidentit Trump.

Diplomacia mes Uashingtonit dhe Teheranit duket se po hyn në një fazë vendimtare. Zyrtarë amerikanë konfirmojnë se SHBA-të dhe Irani kanë arritur një marrëveshje paraprake që synon hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e një procesi të ri negociatash për programin bërthamor iranian.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është finalizuar. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se Presidenti Donald Trump nuk ka vendosur ende nëse do ta mbështesë dokumentin. Sipas tij, palët vazhdojnë të negociojnë për disa pika, kryesisht lidhur me pasurimin e uraniumit dhe rezervat bërthamore të Iranit.
Marrëveshja paraprake parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për çështjen bërthamore dhe lejimin e lundrimit të pakufizuar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Por situata në rajon mbetet e tensionuar. Marina e Gardës Revolucionare Iraniane deklaroi se ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj katër anijeve pranë Hormuzit, duke pretenduar se ato po kalonin pa autorizim.
Ndërkohë, lufta dhe tensionet në Gjirin Persik po ndikojnë edhe në tregjet globale të energjisë. Rezervat amerikane të naftës dhe karburanteve po bien ndjeshëm, pasi mbyllja e pjesshme e Ngushticës së Hormuzit ka detyruar industrinë të përdorë rezervat strategjike.
Në qendër të debatit mbetet edhe roli i Omanit, ndërmjetës tradicional mes SHBA-së dhe Iranit. Deklaratat e ashpra të Donald Trump ndaj Muskatit kanë shkaktuar reagime dhe shqetësime në rajon, ndërsa diplomacia vazhdon për të shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak.
Pavarësisht optimizmit të kujdesshëm nga të dyja palët, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se çdo marrëveshje mund të dështojë nëse nuk merr miratimin final të Presidentit Trump dhe udhëheqjes iraniane.

