Greva mbyllet me urdhër të Qeverisë! Mbi 10,000 punonjës të “Air Canada” kërkuan rritje pagash, arrihet një "marrëveshje"
Pas një greve që anuloi rreth 700 fluturime, qeveria kanadeze urdhëroi rikthimin në punë të asistentëve të fluturimit të Air Canada dhe zgjatjen e kontratës ekzistuese deri në një marrëveshje të re. Sindikatat kritikuan ndërhyrjen si shkelje të të drejtave të punëtorëve, ndërsa linja ajrore paralajmëroi vonesa deri ne stabilizimin e plotë.

Pas një greve që çoi në anulimin e rreth 700 fluturimeve fluturimet e Air Canada rifilluan punën të dielën në mbrëmje.
Qeveria urdhëroi ndërprerjen e menjëhershme të protestës dhe kërkoi kthimin në punë të asistentëve të fluturimit deri në orën 22:00, ndërkohë që kontrata ekzistuese e tyre do të zgjatet përkohësisht derisa të arrihet një marrëveshje e re.
Greva nisi në orët e para të së shtunës, pasi mbi 10,000 punonjës kërkuan rritje pagash dhe kompensim për orët e humbura në orarin e punës gjatë qëndrimit në tokë.
Ndërsa Air Canada ofroi një rritje prej 38% në katër vite, sindikata e quajti ofertën të pamjaftueshme dhe nën nivelin e inflacionit.
Ministrja e Punësimit Patty Hajdu ndërhyri përmes një urdhri duke thënë se stabiliteti dhe zinxhirët e furnizimit duhej të ruheshin.
Sindikatat e kritikuan vendimin, duke e quajtur një “shkelje të të drejtave të punëtorëve” dhe një dorëzim ndaj presionit të korporatave.
Edhe pse fluturimet nisën sërisht, Air Canada paralajmëroi se do të duhen disa ditë për të rikthyer operacionet në normalitet.


