“Gold Card” e Donald Trump, mund të mos e shohë dritën e diellit

Pesë milionë dollarë për t’u bërë shtetas amerikan, përgjithmonë! Viza e re e propozuar nga Donald Trump, e krijuar për super të pasurit, mund të mos e shohë kurrë dritën e diellit, pasi rrezikon të bllokohet nga sfidat ligjore në gjykata. Shtëpia e Bardhë ka vepruar me një urdhër ekzekutiv, duke e anashkaluar plotësisht Kongresin, megjithëse, sipas ligjeve amerikane, çështjet e emigracionit janë kompetencë e pushtetit legjislativ.
Çfarë është “Gold Card” e Trump?
Administrata amerikane e ka vendosur luftën kundër emigracionit të paligjshëm si një përparësi kryesore, duke forcuar kontrollet kufitare dhe duke përshpejtuar proceset e dëbimeve. Nga ana tjetër, në fillim të vitit, Trump shpalli një mënyrë të re për të fituar shtetësinë amerikane: një rrugë të privilegjuar për milionerët. Pikërisht në të njëjtën periudhë kur shpallte dhe pezullonte tarifat tregtare për botën, ai prezantoi edhe “Gold Card”.
Bëhet fjalë për një kartë të artë, me pamje luksoze, ku Trump shfaqet në gjysmë portreti. “Do të jetë e disponueshme për dy javë”, deklaroi ai në atë kohë nga Air Force One. Në qershor u hap edhe faqja zyrtare për të aplikuar, por më pas procedura u ndal dhe tani rrezikon të mos vazhdojë fare, sipas Washington Post.
Trump ka shpjeguar se “Gold Card” synon të tërheqë milionerët në SHBA. Me një pagesë prej 5 milionë dollarësh, aplikantët do të fitonin shtetësinë amerikane dhe përjashtim nga taksat mbi të ardhurat nga jashtë vendit. Ky propozim synon të zëvendësojë programin ekzistues EB-5, që u jep të huajve të pasur të drejtën e rezidencës në këmbim të investimeve mbi 800 mijë dollarë në zona të varfra të SHBA-ve, një sistem i mbingarkuar nga kërkesat.
Por, për të krijuar një kategori të re vizash, siç bëri Trump me “Gold Card”, nuk mjafton një urdhër ekzekutiv.
Cili është roli i Kongresit në politikën e emigracionit?
Gjykata e Lartë e SHBA ka theksuar vazhdimisht se Kongresi ka fuqi të plota në çështjet e emigracionit dhe legjislativi ka përparësi ndaj ekzekutivit në këtë fushë.
Doug Rand, këshilltar i lartë i ish-drejtorit të Shërbimeve të Emigracionit gjatë presidencës së Joe Biden, deklaroi se që nga viti 1990 askush nuk ka ndryshuar kriteret ligjore për vizat, kur u përcaktuan kategoritë aktuale të “Green Card” dhe vizave të përkohshme.
“Nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë. Dhe nëse do ta bëjnë gjithsesi, do të paditen dhe do të humbasin pothuajse me siguri,” tha Rand.
Sekretari Lutnick: “E shlyejmë borxhin publik”
Megjithatë, zëdhënësja e Departamentit të Tregtisë pohoi se sekretari Lutnick është i vendosur të zbatojë vizionin e presidentit Trump për krijimin e këtij programi. “Gold Card do të sjellë të ardhura marramendëse për SHBA-të,” u shpreh ajo.
Në mars, Lutnick deklaroi se kjo masë do të ndihmonte në financimin e borxhit vjetor prej 1.3 trilion dollarësh, duke lëshuar rreth 260 mijë viza. Ai madje shtoi se, në teori, i gjithë borxhi kombëtar prej 36 trilionë dollarësh mund të rifinancohej me 7 milionë viza për milionerë të tjerë.

