Gjermania zotohet të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, pavarësisht shkurtimeve buxhetore

Kancelari Olaf Scholz këmbënguli të hënën se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë luftën e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, pavarësisht planeve për të përgjysmuar buxhetin për të ndihmuar Kievin më 2025.
“Gjermania është dhe mbetet mbështetja më e fortë e Ukrainës në Evropë”, tha Scholz në një postim në X.
Gjermania ka qenë kontribuuesi i dytë më i madh i ndihmës për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Buechner tha më herët se "raportimi se sugjeron se po shkurtojmë ndihmën, është thjesht i pasaktë".
Ai shtoi se Gjermania ishte "plotësisht e përkushtuar" për të mbështetur Ukrainën "për aq kohë sa të jetë e nevojshme".
Buxheti i Gjermanisë për vitin 2025 ka qenë subjekt i një mosmarrëveshjeje të zgjatur midis tre partive në koalicionin qeverisës të Scholz.
Ministri liberal i Financave, Christian Lindner u ka kërkuar ministrive të tjera të bëjnë kursime për të respektuar një rregull kushtetues, që synon të parandalojë shtetin të marrë shumë borxhe.
Drafti i fundit përfshin rreth katër miliardë euro (4.4 miliardë dollarë) për Ukrainën vitin e ardhshëm, krahasuar me rreth tetë miliardë euro më 2024.
Për të kompensuar mungesën, qeveria ka thënë se do të mbështetet në planet e G7 dhe Bashkimit Evropian për të gjeneruar fonde nga asetet e ngrira ruse.
Në qershor, udhëheqësit e G7 ranë dakord për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke përdorur fitimet nga asetet e ngrira.
"Ukraina do të jetë në gjendje të blejë armë në një shkallë të gjerë" me atë financim, tha Scholz.
Më shumë bisedime për buxhetin do të mbahen përpara se të miratohet deri në fund të vitit, dhe ministria e financave tha të shtunën se ishte e hapur për të shqyrtuar shpenzime shtesë për Ukrainën rast pas rasti.
Buechner tha të hënën se Gjermania "do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për aq kohë sa është e nevojshme" dhe këmbënguli se "angazhimi dhe vendosmëria e Gjermanisë (për të mbështetur Ukrainën) nuk do të ndryshojë".
“Ne do të vazhdojmë të sigurojmë që Ukraina të marrë fondet që i nevojiten për të vazhduar luftën e saj për liri dhe vetëvendosje”, shtoi një zëdhënës i ministrisë së jashtme.
Aleatët e Ukrainës kanë punuar për disa muaj në një mekanizëm për të lejuar që një pjesë e aseteve ruse prej 300 miliardë dollarësh të ngrira në mbarë botën, të përdoren për të mbështetur Kievin në luftën e tij me Moskën.

