Gjermania do të ofrojë mbështetje financiare për Autoritetin Palestinez

Qeveria gjermane planifikon të ofrojë mbështetje emergjente për Autoritetin Palestinez (AP) – në vështirësi financiare – në Bregun Perëndimor, tha sot ministrja për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali Radovan.
“Territoret Palestineze po përballen me një pikë kthese kritike – që do të përcaktojë nëse do të mbetet diçka për t’u njohur në të ardhmen,” tha Alabali Radovan për gazetën “Tagesspiegel”.
“Qeveria federale është dakord për t’i ofruar ndihmë financiare emergjente Autoritetit Palestinez”, tha ajo.
“U duk qartë se AP do të ishte në prag të kolapsit. Kjo ndodhi sepse qeveria izraelite, e cila mbledh detyrimet doganore dhe taksat në emër të AP-së – sipas marrëveshjeve të paqes të Oslos të viteve 1990, nuk ka transferuar të ardhura tatimore që nga maji”, tha Alabali Radovan.
Ajo gjithashtu e përshkroi situatën në Rripin e Gazës si “absolutisht tronditëse”.
AP, e udhëhequr nga presidenti Mahmoud Abbas dhe me seli në Bregun Perëndimor, ka luftuar me vështirësi financiare për ca kohë.
Abbas gjithashtu përballet me një mbështetje në rënie midis popullsisë palestineze.
AP po merr ndihma ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Bashkimi Evropian.


