Gjermania dhe Franca prezantojnë sot nismën për përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Gjermania dhe Franca pritet të prezantojnë një nismë të re për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, duke u ofruar atyre përfitime më të mëdha integrimi edhe para anëtarësimit të plotë.
Sipas një dokumenti të përbashkët, vendet kandidate do të shpërblehen për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, përfshirë një akses më të privilegjuar, në tregun e përbashkët të BE-së dhe mundësinë për të dërguar vëzhgues në institucionet evropiane.
Nisma synon të krijojë më shumë stimuj për reforma dhe t’i japë një shtysë të re politikës së zgjerimit të BE-së.
Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet ta prezantojë sot planin gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Propozimi përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si dhe Moldavinë, e cila kufizohet me Ukrainën.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor presin prej vitesh për anëtarësim në BE.
Maqedonia e Veriut ndjek këtë objektiv prej 22 vitesh, ndërsa Kosova ende nuk ka status zyrtar kandidat, pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj.
Mali i Zi konsiderohet kandidati më i avancuar dhe synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, duke hapur rrugën për anëtarësim të mundshëm deri në vitin 2030.
Një samit i veçantë mes BE-së dhe Moldavisë është planifikuar të mbahet më 22 qershor në Bruksel.


