Gjermania dënon me 5 vjet burg rojen 101-vjeçare të kampit nazist

Një ish-roje në kampin e përqendrimit Sachsenhausen u dënua për bashkëpunim në vrasje në më shumë se 3500 raste.
Josef Schuetz u dënua me pesë vjet burg për punë në një kamp përqendrimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Josef mohoi deri në fund se kishte punuar në kampin e përqendrimit Sachsenhausen pranë Berlinit. Megjithatë, Gjykata e Landit Neuruppin arriti në përfundimin se dokumentet e paraqitura nga prokuroria vërtetonin mjaftueshëm rolin e tij në këtë kamp. Pra, ka dokumente në lidhje me një roje SS me emrin, datën dhe vendin e lindjes, si dhe dokumente të tjera.
"Gjykata ka arritur në përfundimin se, në kundërshtim me pohimet tuaja të kundërta, ju keni punuar për rreth tre vjet në kampin e përqendrimit si roje," tha kryetari i trupit gjykues Udo Lechtermann kur dha vendimin.
Josef Schuetz u shpall fajtor si ndihmës i vrasjes ndërsa punonte si roje burgu në kampin Sachsenhausen në Oranienburg, në veri të Berlinit, midis 1942 dhe 1945.
Por prokurorët thanë se ai "me vetëdije dhe dëshirë" mori pjesë në vrasjen e 3,518 të burgosurve në kamp dhe kërkuan që ai të dënohej me pesë vjet pas hekurave.

