Gjenden pikturat e vjedhura, policia belge i gjeti në bodrumin e një banese në Antwerp, 1 në pranga

Gjenden pikturat ne Belgjike.
Këto dy piktura të vjedhura nga muzeu i Tel Aviv të Izraelit rreth 14 vite më parë, janë gjetur në banesën e një koleksionist arti nga policia belge në Antwerp.
Pikturat, "Tête" e Picasso-s dhe "L'homme en prière" e Chagall-it kapin vlerën e 900 mijë dollarëve, ndërsa me gjetjen e tyre është arrestuar edhe koleksionisti.
Veprat e artit u zbuluan në bodrumin e një banese, deklaruan autoritetet lokale të martën, duke shtuar se janë ende të padëmtuara dhe në kornizat e tyre origjinale.
Bashkë me to, u vodhën edhe bizhuteri në vlerë prej 680 mijë dollarësh, por deri tani oficerët kanë mundur të gjenjnë vetëm pikturat.
Policia kishte marrë informacion nga burimet se një shtetas belg i kishte nxjerrë pikturat në shitje dhe nisur nga kjo kryen kontrollin në banesën e tij.
Në deklaratën zyrtare, thuhet se fillimisht ai pranoi se i posedonte pikturat, por kishte refuzuar të tregonte ku i kishte fshehur.
Koleksionisti belg tashmë akuzohet për ‘pranim të pikturave të vjedhura’.

