GAZA – GHF fillon shpërndarjen e ndihmave humanitare

GAZA – GHF fillon shpërndarjen e ndihmave humanitare

Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) tha se do të fillojë shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës sipas një mekanizmi të ri që shihet me skepticizëm të madh nga ofruesit aktualë të ndihmës, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Deri në fund të javës, fondacioni thotë se do të arrijë te më shumë se një milion palestinezë, gati gjysma e popullsisë së përgjithshme prej rreth 2,2 milionë banorësh.

Transmetuesi izraelit ”Kan” raportoi, duke cituar zyrtarë izraelitë, se e para nga katër qendrat e shpërndarjes së GHF do të hapet sot në Rripin e Gazës.

”Pakot me ushqime do t’u shpërndahen popullsisë nga këto qendra shpërndarjeje. Fondacioni gjithashtu planifikon të ndërtojë më shumë”, thotë raporti.

Kombet e Bashkuara janë kritike ndaj fondacionit, pjesërisht sepse thonë se civilët mund të gjenden në mes të zjarrit të kryqëzuar gjatë rrugës për në qendrat e shpërndarjes dhe se udhëtimi drejt tyre mund të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të moshuarit dhe të sëmurët.

Drejtori Ekzekutiv i GHF-së, Jake Wood njoftoi më parë dorëheqjen e tij nga fondacioni, duke thënë se ”kjo minon parimet humanitare”.

Wood është një veteran i ushtrisë amerikane, i cili themeloi një shërbim reagimi humanitar të quajtur ”Team Rubican” dhe gjithashtu drejton një platformë online për kompanitë që  dhurojnë ndihma.

EMISIONET