Fund i radhëve të gjata pas Brexit-it/ Britanikët do të përdorin portat elektronike në aeroportet e BE-së

Fund i radhëve të gjata pas Brexit-it/ Britanikët do të

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se pushuesit britanikë do të kenë së shpejti mundësinë të përdorin portat elektronike në shumë aeroporte të Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të udhëtimit pas Brexit-it.

Ky zhvillim është pjesë e një marrëveshjeje të re për rivendosjen e marrëdhënieve me BE-në, e cila synon të reduktojë kohën e pritjes për mbajtësit e pasaportave britanike në pikat kufitare evropiane.

Qeveria britanike deklaroi se masa do t’i japë fund “radhëve të frikshme në kontrollin kufitar”, një realitet i përditshëm për shumë udhëtarë pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Aktualisht, britanikët klasifikohen si “shtetas të vendeve të treta”, të përjashtuar nga viza, gjë që i detyron të qëndrojnë në radhët e “kombeve të tjera” dhe të përballen me kontrolle më të gjata kufitare, përfshirë verifikimin e ditëve të qëndrimit dhe biletave të kthimit.

Ministri i Marrëdhënieve me BE-në, Nick Thomas-Symonds, tha se ndryshimi do të u lejojë qytetarëve britanikë të kalojnë më shumë kohë duke shijuar pushimet apo duke u marrë me punë, “pa ngecur në radhë”.

Sipas marrëveshjes, aeroportet në vende si Italia, Holanda dhe Portugalia – përfshirë Roma Fiumicino, Amsterdam Schiphol dhe Lisbonën – kanë instaluar tashmë porta elektronike për qytetarët e vendeve të treta, të cilat pritet të përdoren edhe nga britanikët.

Në disa raste, udhëtarët britanikë do të lejohen të kalojnë përmes portave ekzistuese të BE-së, ndërsa të tjerë mund të përdorin porta të dedikuara.

Ndryshimi lidhet gjithashtu me zbatimin e Sistemit të Hyrjes/Daljes në BE (EES), që do të hyjë në fuqi në tetor 2025.

Ky sistem dixhital do të regjistrojë automatikisht të gjitha hyrjet dhe daljet e udhëtarëve jo-BE, duke eliminuar nevojën për vula fizike dhe duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e kalimit kufitar.

Në të njëjtën kohë, qeveria britanike njoftoi edhe një lehtësim për pronarët e kafshëve shtëpiake, me futjen e pasaportave të reja për qentë dhe macet që udhëtojnë nga Britania në vendet e BE-së.

Këto pasaporta do të zëvendësojnë certifikatat shëndetësore që duheshin për çdo udhëtim, duke e bërë procesin më të thjeshtë dhe më të shpejtë.

Ky hap vlerësohet si një fitore për udhëtarët britanikë që janë përballur me kufizime dhe burokraci të shtuara që nga dalja nga BE-ja, dhe mund të jetë sinjal i një bashkëpunimi më të ngushtë në të ardhmen mes Mbretërisë së Bashkuar dhe bllokut evropian.

EMISIONET