Frika nga telebanët/ Në aeroportin e Delhit 13-vjeçari gjendet i fshehur në rrotat e avionit

Një 13-vjeçar nga Afganistani u gjet i fshehur në ndarjen e rrotave të një avioni pasagjerësh në Delhi. Autoritetet dyshojnë se përveç kuriozitetit, i mituri kërkonte të shpëtonte nga talebanët.

Frika nga telebanët/ Në aeroportin e Delhit 13-vjeçari gjendet

Një episod dramatik u regjistrua në Aeroportin Ndërkombëtar të Delhit, ku autoritetet indiane u përballën me një rast të pazakontë. Një 13-vjeçar afgan u gjet i gjallë pasi kishte udhëtuar i fshehur në ndarjen e marshit të uljes së një avioni të kompanisë Kam Air që vinte nga Kabuli.

Udhëtimi zgjati afro 90 minuta dhe u ul në pistë të dielën në mëngjes rreth orës 11:10, dhe pak minuta më vonë personeli i aeroportit vuri re një adoleshent që ecte vetëm në pistë.

Ai u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje për disa orë. Djali u tha autoriteteve se kishte hyrë në avion nga kurioziteti, duke menduar se destinacioni ishte Irani, pa e ditur se fluturimi shkonte drejt Indisë.

Megjithatë, burime të sigurisë nuk përjashtojnë edhe një tjetër motiv: arratisjen nga realiteti represiv që kanë vendosur talebanët në Afganistan, sidomos për të rinjtë që jetojnë mes frikës dhe mungesës së shpresës për të ardhmen. Një burim i afërt me hetimin tha se rasti i të miturit “reflekton dëshirën e qindra fëmijëve afganë për t’u larguar nga dhuna dhe kufizimet ekstreme”.

Gjatë kontrollit, stafi i avionit gjeti tek ai edhe një altoparlant të vogël me ngjyrë të kuqe, të cilin e kishte marrë me vete gjatë udhëtimit. Pas procedurave, ai u riatdhesua me të njëjtin avion drejt Kabulit.

Ekspertët e aviacionit paralajmërojnë se udhëtimi në ndarjen e rrotave të avionit është jashtëzakonisht i rrezikshëm për jetën, për shkak të temperaturave ekstreme dhe mungesës së oksigjenit.

Ngjarja ngre shqetësime mbi sigurinë në aeroportet e rajonit, por edhe mbi realitetin e vështirë që i shtyn fëmijët të rrezikojnë jetën për t’u larguar nga vendi i tyre.

EMISIONET