FRANCA NË ALARM/ 80 000 forca policie kundër trazirave të mundshme të 10 shtatorit

FRANCA NË ALARM/ 80 000 forca policie kundër trazirave të

Rreth 80 000 xhandarë dhe oficerë policie do të mobilizohen nesër për të parandaluar çdo trazirë gjatë lëvizjes sociale “Blloko gjithçka”, njoftoi ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, i cili së shpejti do të japë dorëheqjen.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë bllokim, asnjë dhunë, asnjë veprim bojkoti, padyshim”, shtoi Bruno Retailleau në ”France 2”, i cili është planifikuar të takohet me të gjithë prefektët sot për të diskutuar mobilizimin e 10 shtatorit.

Ai kritikoi ashpër lëvizjen ”La France Insoumise” dhe udhëheqësin e saj, Jean-Luc Melenchon duke i akuzuar ata se duan të “nxisin flakët e zemërimit të acaruar të popullit francez”.

”Rebelët duan të krijojnë, siç e tregova, një klimë kryengritjeje”, denoncoi ai.

Duke analizuar gjenezën dhe evolucionin e lëvizjes së 10 shtatorit, ministri vërejti se “fillimisht, pati një mobilizim qytetar” i cili “që atëherë është rrëmbyer dhe devijuar”.

”Pastaj, ishte një radikalizim nga lëvizja e ekstremit të majtë”, vazhdoi ai.

“Ne e dimë që këto grupe të vogla (…) janë të vendosura, janë të organizuara dhe e majta ekstreme është ultra e dhunshme”, shtoi Bruno Retailleau, duke shprehur frikën e veprimeve të dhunshme.

Autoritetet presin veprime të ndryshme në të gjithë vendin të mërkurën, duke filluar nga bllokadat e stacioneve të trenave, rafinerive dhe autostradave kryesore deri te operacionet për sabotimin e kamerave të shpejtësisë dhe demonstratat tradicionale.

Shërbimet sekrete theksojnë vështirësinë e parashikimit të natyrës së kësaj lëvizjeje “horizontale” dhe pa udhëheqës.

”Policia dhe xhandarët e mobilizuar do të kenë udhëzime shumë të qarta: vendosmëri dhe do të duhet të arrestojnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur në rast të krimeve të dyshuara”, tha Bruno Retailleau.

“Kur të ketë demonstrata, ne do t’i shoqërojmë ato sepse është një e drejtë kushtetuese të demonstrojmë në mënyrë paqësore. Por, ne vërtet nuk do të tolerojmë asnjë dhunë apo teprim”, paralajmëroi ai.

I pyetur në lidhje me komentet e Bruno Retailleau, Jean-Luc Melenchon tha se “ministri i Brendshëm është në luftë me popullin francez”.

“E them këtë ballë për ballë të gjithëve që më dëgjojnë: mos bëni asgjë tjetër përveç gjërave që janë të kontrolluara dhe të qeta”, deklaroi kreu i LFI-së në ”France 2”./ATSH-AFP

EMISIONET