Franca, Gjermania dhe BM-ja dënojnë “kërcënimet” ndaj shefit të IAEA-s

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe kanë dënuar thirrjen e një gazete iraniane për ekzekutimin e drejtorit të agjencisë atomike të OKB-së.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar sot, ministrat e Jashtëm i garantuan Rafael Grossi, drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbështetjen e tyre të plotë në kryerjen e detyrave të tij. Ata gjithashtu i bënë thirrje autoriteteve iraniane të mos ndërmarrin hapa që i japin fund bashkëpunimit të vendit me IAEA-n.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit të rifillojë menjëherë bashkëpunimin e plotë në përputhje me detyrimet e tij ligjërisht detyruese dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e personelit të IAEA-së”, thuhet në deklaratë.
Në Iran, po qarkullon fjala se një raport i IAEA-së shkaktoi sulmet ajrore izraelite të fundit dhe luftën 12-ditore. Grossi është paraqitur gjithnjë e më shumë në mediet iraniane si një kundërshtar, duke rritur më tej tensionet mes Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ky reagim vjen si përgjigje ndaj një artikulli të botuar nga gazeta ditore iraniane “Kayhan”, e cila konsiderohet gjerësisht si një organ shtetëror propagandues me qëndrime të forta, që bëri thirrje për arrestimin dhe ekzekutimin e Grossi-t. Artikulli ka shkaktuar kritika të forta në kryeqytetet perëndimore.

