Franca do të presë samitin e ri për Ukrainën më 27 mars/ Ja çfarë pritet
Emmanuel Macron po planifikon të presë liderët evropianë të enjten e ardhshme, më 27 mars, për të diskutuar mbi Ukrainën dhe sigurinë në Evropë, thanë tre zyrtarë evropianë për Politiko.
Samiti pason takimet që presidenti francez zhvilloi në shkurt dhe mars në Paris me krerët evropianë, si dhe krerët e vendeve të NATO-s, për të diskutuar garancitë e mbrojtjes për Ukrainën dhe kontinentin më të gjerë.
Lista e pjesëmarrësve nuk është finalizuar, por do të jetë një "rreth më i gjerë" liderësh, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson.
Takimi do të zhvillohet ndërsa liderët evropianë kërkojnë të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Bashkimit Evropian përballë kërcënimeve nga Rusia dhe ndryshimeve drastike në politikën e jashtme të SHBA-së nën drejtimin e Donald Trump.
Ai gjithashtu pasqyron, siç komenton Politico, pranimin në rritje politik për një "koalicion të vullnetarëve" nga BE dhe vendet e palëve të treta, madje edhe Kanadaja dhe Turqia, për të mbështetur Ukrainën.