Fonde nga interneti për libra/ Fushata siguroi fonde për rindërtimin e bibliotekës në Liverpul

Prej kohës kur teknologjia dhe interneti pushtuan shoqërinë, ka pasur gjithmonë shqetësime në rritje se po linte në hije botën e librit dhe të lexuarit.
Por një fushatë e nisur pikërisht në rrjetet sociale po nxjerrë në dritë këtë bibliotekë të shkatërruar. Shtëpia e librit, ‘Spellow Hub’ që ndodhet në qytetin anglez të Liverpul u shkatërrua nga protestuesit gjatë trazirave në fillim të këtij muaji.
Ata i vunë zjarrin, duke shkaktuar dëme të mëdha, për shkak edhe të materialeve lehtësisht të djegshme.
Fushata ‘ReadingNotRioting’ në X, mbështetur nga një GO FOUND ME, ka bërë bashkë mbi 11 mijë donator të vegjël duke siguruar rreth 270 mijë dollarë të ardhura për rindërtimin.
Një nga nismëtaret, autorja Marnie Riches u shpreh se mbi 150 autorë premtuan dhurime të veprave të ndryshme brenda 24 orëve, ndërsa oferta u dyfishua një ditë më pas.
Ajo bibliotekë ishte kthyer si një qendër komunitare vitin e kaluar, duke ofruar mundësi me programe trajnimi dhe aftësish për të papunët afatgjatë, në një nga komunitetet më të pafavorizuara në vend.
‘Objektivi ynë fillestar ishte vetëm 500 paund, por u tejkalua dhe kemi mbetur të mahnitur nga dashuria e njerëzve për librin dhe reagimi fenomenal në internet’, shtoi Riches
Ndërkaq kanë nisur planet e këshillit të Liverpulit për të mbikëqyrur punimet dhe agjendën e rikonstruktimit të bibliotekës, e cila pritet të rihapet së shpejti.

