Fituesi i çmimit Pulitzer akuzon Bidenin: Gazsjellësi Nord Stream u sabotua nga SHBA dhe CIA

“Gazsjellësi Nord Stream u hodh në erë nga amerikanët.”
Kjo është deklarata që nuk vjen nga Putini, por Seymour Hersh, një gazetar investigativ në sektorin ushtarak dhe fitues i çmimit Pulitzer.
Sipas Hersh, shpërthimi i tubacioneve nëndetëse të gazit midis Rusisë dhe Evropës në Detin Baltik ishte një operacion i fshehtë i urdhëruar nga Shtëpia e Bardhë dhe i kryer nga CIA.
Lajm që është mohuar nga Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë, por që është përdorur nga Rusia për të kërkuar edhe një herë një komision të pavarur hetimor.
Seymour Hersh në blogun e tij seymourhersh.substack.com flet për të gjithë operacionin.
“Në qershor 2020, zhytësit e marinës amerikane, duke përdorur një stërvitje ushtarake të NATO-s si mbulesë, dyshohet se vendosën eksplozivë përgjatë tubacioneve të gazit të cilat u shpërthyen tre muaj më vonë.” – thotë ai.
Hersh - zbulimet e të cilit u morën nga disa media ndërkombëtare - citon një burim me njohuri të drejtpërdrejta të planit, por gjithashtu raporton mohimin e Shtëpisë së Bardhë dhe CIA-s.
"Mbulesa" do të ishte operacioni Baltops22, një stërvitje që zgjati 13 ditë në Detin Baltik dhe që pa praninë e 47 anijeve, 89 avionëve dhe rreth 7000 ushtarëve të NATO-s.”
Pasi hodhën poshtë përdorimin e nëndetëseve, lehtësisht të identifikueshme nga Marina Ruse, amerikanët, përsëri sipas Hersh, do të kishin zgjedhur të kryenin sabotimin me një komando zhytësish.

