Filozofi palestinez: Në Gaza po shembet rendi moral dhe ligjor botëror

Teksa SHBA, Izraeli dhe Hamasi flasin për një armëpushim të mundshëm në Gaza, e ardhmja mbetet jashtëzakonisht e pasigurt dhe e zymtë, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën që shumë e përshkruajnë si gjenocidale.
Në një intervistë për L’Orient-Le Jour, filozofi dhe juristi palestinez, Raef Zreik, analizon gjendjen aktuale të çështjes palestineze, duke hedhur poshtë kornizat morale e religjioze që, sipas tij, vetëm e mjegullojnë të kuptuarit politik të realitetit.
Zreik kundërshton përdorimin e konceptit të “së keqes” për të shpjeguar veprimet e Izraelit apo Hamasit.
“Kur flasim për ‘të keqen’, i heqim çdo kuptim politik veprimeve të tjetrit, duke i kthyer ato në diçka misterioze dhe të pashpjegueshme. Kjo e bën të pamundur të kuptojmë kontekstin që i gjeneron këto akte dhe, rrjedhimisht, të parandalojmë përsëritjen e tyre,” thotë ai.
Për të kuptuar masakrat në Gaza, ai argumenton, duhet parë më gjerë: nga ideologjia sioniste dhe kolonializmi i vendbanimeve, te trashëgimia e Holokaustit dhe luftërat rajonale në Irak, Siri, Ukrainë.
“Ne po jetojmë një epokë të shembjes së rregullave bazë të ndërveprimit njerëzor,” shton Zreik.
“Jo vetëm viktimë, por edhe kolon”
Zreik nuk ngurron të thotë se sionizmi nuk është domosdoshmërisht gjenocidal, por mund të bëhet i tillë në varësi të rrethanave dhe forcave politike që e udhëheqin. Duke folur për dilemat morale të shoqërisë izraelite, ai thotë:
“Izraeli ndërton narrativën e tij mbi ndjesinë e viktimizimit të përhershëm dhe fuqinë për ta ushtruar këtë viktimizim mbi të tjerët, pa pasoja.”
Filozofi shpjegon edhe mungesën e një strategjie politike të qartë palestineze, të bllokuar mes një Autoriteti Palestinez të gatshëm për kompromis por të pafuqishëm për rezistencë, dhe një Hamasi të aftë për rezistencë por të paaftë për kompromis.
“Politika nuk është vetëm çështje drejtësie apo pushteti, por kombinimi i të dyjave. Ne jemi të mbërthyer në një politikë të ndarjes binare që nuk prodhon strategji,” thekson Zreik.
Gaza si “hapësirë përtej çdo norme”
Nga përvoja e tij si palestinez me shtetësi izraelite, Zreik e përshkruan Gazën si një “heterotopi” ku çdo normë morale, ligjore dhe politike është pezulluar:
“Izraeli ka arritur ta shndërrojë Gazën në një hapësirë ku gjithçka është e lejueshme. Ne, palestinezët brenda Izraelit, jetojmë mes frikës, mohimit dhe shtypjes emocionale që na mban larg të përballurit me realitetin e Gazës.”
Mes të kaluarës dhe të ardhmes
Zreik sheh pak hapësirë për zgjidhje të afërt, duke e përshkruar të ardhmen si të mjegullt dhe të bllokuar nga barra e historisë dhe dhimbjes kolektive palestineze:
“Të flasësh shumë për të ardhmen të bën të mos shohësh tragjedinë e së tashmes,” thotë ai, duke shtuar se çdo projekt politik duhet të përfshijë barazi të plotë dhe njohjen e realiteteve të reja demografike dhe historike.
Sipas tij, vetëm duke imagjinuar një të ardhme me të drejta të barabarta për të gjithë dhe duke e përdorur atë si pikënisje mund të fillojë një debat i sinqertë edhe mbi të kaluarën dhe përgjegjësitë koloniale të Izraelit.
“Jemi në një proces, por jam shumë pesimist. Jo vetëm për shkak të Izraelit dhe Palestinës, por për shkak të një klime ndërkombëtare ku moraliteti dhe ligjshmëria po shemben,” përfundon ai.

