“FERRI” NË AFRIKË/ Imazhe tronditëse nga një minierë ari, punëtorët këmbëzbathur dhe si kufoma brenda galerive

Imazhe tronditëse vijnë nga një minierë ari e pashfrytëzuar në Afrikën e Jugut, ku një grup minatorësh kanë mbetur të bllokuar, në mes të kushteve të mjerueshme.
Në videot e publikuara nga agjencia e lajmeve britanike BBC, dallohen persona të dobësuar dhe gjysmë të zbathur, si dhe trupat e pajetë përtokë, të mbështjellë me rroba improvizorisht.
Burimet bëjnë me dije se situata shfaqet kontradiktore, pasi në video personat akuzojnë qeverinë për torturë, ndërsa kjo e fundit thotë se ata refuzojnë të dalin.
“Më shumë se 100 nga minatorët të angazhuar në punë në mënyrë ilegale, të njohur në vend si "zama zamas", kanë humbur jetën nën tokë, në jug-perëndim të Johanesburgut. Por besoj se ka edhe më shumë viktima”, tha në kushtet e anonimatit një person për BBC.
Përfaqësuesi i sindikatës “Punëtorët e Industrisë së Përgjithshme të Afrikës së Jugut” ose e njohur si Giwusa, e përshkroi situatën si të tmerrshme dhe padrejtësi e madhe.
“Ajo që ka ndodhur këtu duhet të quhet ashtu siç është; kjo është një masakër në Stilfontein. Në këto filmime dallohen qartë një grumbull trupash njerëzish, minatorësh që kanë vdekur dhe po vdesin”, tha presidenti Mametlwe Sebei.
Miniera pranë qytetit Stilfontein, në jugperëndim të Johanesburgut, ka qenë shkak për përplasje të vazhdueshme mes policisë dhe minatorëve.
Madje për t’i detyruar të dalin, thuhet se janë ndërmarrë edhe taktika ekstreme si ndërprerja e ushqimit dhe ujit.
Raportet tregojnë se disa prej minatorëve gjenden aty që nga korriku i vitit të kaluar.



