Sulmet ushtarake ndaj Sirisë/ Netanyahu: Ahmad al-Saraa ka shkelur vijat tona të kuqe! Do ç'militarizojmë jugun e Damaskut...

Një ditë pas sulmeve të gjera ajrore të Izraelit ndaj objektivave qeveritare dhe ushtarake në Siri, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur dy “vija të kuqe” që ka vendosur në territorin sirian.
Në një mesazh të regjistruar me video, Netanyahu theksoi:
“Kemi përcaktuar një politikë të qartë: çmilitarizimi i zonës në jug të Damaskut, nga Lartësitë Golan deri te malet e komunitetit druzi, është një nga vijat tona të kuqe.
Tjetra është mbrojtja e vëllezërve tanë druzë në Jebel el-Druz.”
Kreu i qeverisë izraelite akuzoi drejtpërdrejt regjimin e presidentit sirian Ahmad al-Saraa për shkeljen e të dyja këtyre vijave të kuqe.
“Dërguan forca ushtarake në jug të Damaskut, në një zonë që duhet të jetë e çmilitarizuar, dhe nisën masakrat ndaj komunitetit druzi. Kjo ishte e papranueshme për ne në çdo mënyrë,” deklaroi Netanyahu.
Ai shtoi se armëpushimi i shpallur nga al-Saraa, i cili përfshinte tërheqjen e trupave siriane, nuk ishte rezultat i ndonjë negociate apo lutjeje.
“Armëpushimi u arrit me forcë. Jo me kërkesa, jo me thirrje – me forcë,” tha ai me tone të ashpra.
Në përmbyllje, Netanyahu u shpreh se Izraeli do të vazhdojë të ndërmarrë veprime ushtarake sa herë që e konsideron të nevojshme, duke dërguar një mesazh të qartë jo vetëm për regjimin sirian, por edhe për rajonin më gjerë:
“Siguria në kufijtë tanë dhe mbrojtja e komunitetit druzi janë përparësi absolute për qeverinë izraelite.”

