ESTONI – Ministri i Jashtëm: Mund të priten veprime të mëtejshme shqetësuese nga Moska

ESTONI – Ministri i Jashtëm: Mund të priten veprime të

NATO reagoi në mënyrë të përshtatshme ndaj shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, por mund të priten veprime të mëtejshme shqetësuese nga Moska, tha dje ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.

“Jam shumë i sigurt se Rusia do të vazhdojë me këto provokime. Nuk ka të bëjë me Estoninë, ka të bëjë me unitetin e NATO-s, si dhe me testimin e aftësive tona ushtarake, si dhe me unitetin transatlantik”, tha Tsahkna gjatë një fjalimi në Samitin Digjital në Talin.

Në shtator, tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të BE-së dhe shtetit anëtar të NATO-s për rreth 12 minuta.

Qeveria në Talin kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe konsultime me aleatët e saj, sipas Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.

Në një deklaratë të mëvonshme, aleanca ushtarake paralajmëroi Rusinë për rrezikun e shkeljeve të mëtejshme të kufirit, duke kërcënuar me përdorimin e forcës.

“Ne reaguam, mendoj, në një mënyrë shumë të fortë”, tha Tsahkna, duke shtuar se NATO kishte treguar se funksionon mirë, përfshirë edhe përmes përgjimit të menjëhershëm të avionëve rus.

“Gjithçka ishte nën kontroll. Nuk kishte asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak të drejtpërdrejtë”, shtoi ai.

“Edhe pas incidentit, aleanca tregoi unitet dhe vendosmëri politike”, tha Tsahkna.

Ministri i Jashtëm i Estonisë iu bashkua Letonisë dhe Lituanisë në thirrjen ndaj NATO-s që ta shndërrojë monitorimin e hapësirës ajrore të Baltikut në një operacion të vërtetë mbrojtës.

Qeveritë në Rigë dhe Vilnius jane shprehur në favor të transformimit të Misionit të Policisë Ajrore të Baltikut të NATO-s në një Mision të Mbrojtjes Ajrore.

Sipas misionit të përbashkët të zbatuar në vitin 2004, aleatët e NATO-s ofrojnë me radhë avionë luftarakë dhe personel për fluturime mbrojtëse të armatosura.

Tri shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat kufizohen me Rusinë, nuk kanë avionë të përshtatshëm për misionin.

EMISIONET