Erërat e forta bllokojnë tragetet në Greqi, mijëra turistë ngecin në porte

Erërat e forta bllokojnë tragetet në Greqi, mijëra

Mes kulmit të trafikut turistik veror, erërat e fuqishme në Detin Egje kanë ndërprerë shërbimet e trageteve në disa nga linjat më të frekuentuara të Greqisë, duke lënë mijëra pushues të bllokuar në porte.

Erërat që arrijnë deri në 60 km/h kanë detyruar autoritetet portuale të vendosin ndalim lundrimi që do të qëndrojë në fuqi të paktën deri në orën 13:00 të së premtes, me mundësi zgjatjeje në varësi të kushteve atmosferike.

Ndalimi prek të gjitha portet kryesore të Atikës, me përjashtim të disa rrugëve të zonës Argosaronike që vazhdojnë të operojnë. Në portin e Rafinës janë pezulluar nisjet drejt Cikladeve, ndërsa udhëtimet për në Marmari zhvillohen normalisht.

Edhe Pireu, porti më i madh i vendit, ka pezulluar të gjitha lundrimet, ndërsa nga porti i Lavrios nuk lejohet lundrimi për në Kythnos dhe në linjën Agia Marina–Nea Styra.

Autoritetet portuale njoftojnë se po monitorojnë nga afër raportet e përditësuara të motit dhe do të japin “dritën jeshile” për nisjet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike.

Ndërkohë, mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar mëngjesin e së premtes dhe po presin me durim për të udhëtuar drejt destinacioneve të tyre të pushimeve.

Trafiku i rënduar dhe qindra automjete të bllokuara nëpër porte kanë shtuar kaosin dhe vonesat.

Roja Bregdetare greke ka bërë thirrje që udhëtarët të kontrollojnë oraret e përditësuara me kompanitë përkatëse përpara se të shkojnë në porte dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme në zonat portuale deri në një njoftim të dytë.

Sipas meteorologëve, erërat e forta pritet të vazhdojnë deri të dielën, çka mund të shkaktojë vonesa dhe anulime të tjera në ditët në vijim.

Autoritetet apelojnë për durim dhe kujdes nga ana e pasagjerëve.

EMISIONET