Erdogan do të presë Starmer në Ankara, marrëveshja për avionët Eurofighter në qendër të takimit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të presë këtë të hënë në Ankara kryeministrin britanik Keir Starmer. Një takim ku pritet të finalozohet dorëzimi i avionëve luftarakë Eurofighter për Turqinë.
Sipas mediave të huaja, Londra pritet t’i dorëzojë Ankarasë disa avionë Eurofighter, pjesë e një plani më të gjerë për blerjen e 40 avionëve nga konsorciumi europian që përfshin Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën.
Turqia, anëtare e NATO-s, po kërkon të modernizojë flotën e saj ajrore, pasi u përjashtua nga programi amerikan i avionëve F-35, për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Fillimisht, Gjermania kishte vendosur veto ndaj shitjes së Eurofighter-ëve për shkak të qëndrimit pro-Hamas të Ankarasë në luftën e Gazës, por kancelari Friedrich Merz e hoqi këtë bllokadë në korrik. Ai pritet të vizitojë Ankaranë të enjten për bisedime me Erdogan.
Sipas ekspertit amerikan Aaron Stein, drejtor i Foreign Policy Research Institute, dy avionët që Londra do t’i dorëzojë Turqisë këtë javë janë ndoshta pajisjet e fundit të destinuara fillimisht për Katarin, i cili kishte porositur 24 Eurofighter në vitin 2017.
Në agjendën e takimit Erdogan–Starmer pritet të përfshihet edhe çështja e Gazës, ku Turqia ka shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit që mund të vendoset në territorin palestinez, një ide ndaj së cilës Izraeli mbetet kundër.

