Elon Musk mund të përfitojë 1 trilion dollarë shpërblim/ Fondi u miratua nga bordi i aksionerëve të Teslas

Elon Musk mund të përfitojë 1 trilion dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme, nëse si drejtor ekzekutiv i Teslas arrin të shesë 1 milion robotë humanoidë. Ky shpërblim me kusht u miratua nga bordi i aksionerëve të firmës amerikane të makinave elektrike.
Vendimin e bordit, që u miratua me 75% të votave në një takim në selinë qendrore të Teslas në Austin, Teksas, Musk e priti me entuziazëm, duke dalë madje edhe në përshëndetje simbolike me robotët e kompanisë. Paketa përfshin gjithashtu rritjen e pjesëmarrjes së tij në aksionet e Teslas nga 15% aktualisht në 29%.
54-vjeçari është një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri prej 473 miliardë dollarësh, dhe me këtë shpërblim mund të bëhet trilioneri i parë në histori.
Vendimi vjen në një kohë kur Musk ka qenë objekt kritike për qëndrimet e tij politike dhe për rolin e tij në administratën Trump, që kanë ndikuar në reputacionin e Teslas. Për të rikthyer kompaninë në rrugën e rritjes, Musk po fokusohet në projektet e robotëve humanoidë dhe robotaksive, të cilat ende nuk janë të funksionalizuar dhe mbeten larg komercializimit masiv.

