Ekskluzive për Rtv Ora/ Atletja italo-shqiptare fiton 2 medalje europiane

Ish kampione e botës në vitin 2017 në Londër dhe mbajtëse e 5 titujve europianë, Arjola Dedaj atletja paralimpike italo-shqiptare flet ekskluzivisht për Rtv Ora e Ora News, menjëherë pas dy garave të zhvilluara në kampionatin europian 2021, që po mbahet aktualisht në Poloni.

Alba Kepi - Arjola arritjeve të tua sportive u janë shtuar tituj të rinj. Kush është surpriza e fundit?

Arjola Dedaj- "Brenda 24 orëve kam zhvilluar dy gara në kampionatin europian të Polonisë 2021, ku ndodhem.

Mora medaljen e argjendtë në 100 metra e medaljen e bronzit në kërcimin së gjati. Për shkak të Covid garat zhvillohen në kohë mjaft pranë njëra-tjetrës. Ndjehem e kënaqur që vazhdoj të jem konkurruese e fortë edhe pas shumë vitesh që garoj e mbi të gjitha pas u bëra nënë."

Alba Kepi- Sa e vështirë qe t'i rikthehesh formës sportive pas muajve të këtij eventi të mrekullueshëm në jetën tënde?

Arjola Dedaj- "Kam punuar shumë por nuk qe e vështirë pasi nuk jam ndalur gjatë shtatzënisë e kam nisur të stërvitem menjëherë pas lindjes. Garën e parë e kam bërë pa mbushur një vit nga lindja e fëmijës. Pandemia Covid na mbajti larg nga garat sportive. Më mungonin emocionet e garës, kompeticioni e adrenalina. Rikthimi është vërtetë i bukur.

Objektivi më i afërt është të arrij në Lojërat olimpike të Tokios së bashku me partnerin tim Emanuele, i cili është atlet paralimpik si unë. Kemi marrë pjesë në lojërat olimpike të Rio De Janiero e urojmë të jemi dhe në Tokio. Është një ëndërr e vështirë por do mundohemi ta arrijmë."

Alba Kepi- E ndërkohë kampionati europian në Poloni vazhdon. Kur janë garat e ardhshme?

Arjola Dedaj- "Pas dy ditësh do të garoj në 200 metra e më data 5 e 6 qershor janë garat e gjysmë  finale e finales europiane 2021."

Alba Kepi-Arjola je me origjinë shqiptare, garon për kombëtaren italiane e prej shumë vitesh jeton Itali. Mbërrite si sportiste nga Shqipëria apo e zbulove më pas këtë talent?

Arjola Dedaj- "Sportin e kam zbuluar në moshë të madhe gati 30 vjeçe. Në Itali kam mbërritur 17 vjeç. Jam e verbër 100% e në moshën 3 vjeçare prindërit e mi zbuluan se kisha retinën pigmentoze.

E kam vuajtur shumë këtë kufizim të aftësisë sime fizike në Shqipëri. Ishte pothuajse tabù e uroj që gjërat sot të shkojnë më mirë. Në shkollë nuk ekzistonin instrumentet e duhura për didaktikën. E kam vuajtur shumë dhe në jetën shoqërore, në integrimin social me miqtë e të afërmit, gjë që më shënoj dhe më vitet e para kur mbërrita në Itali. Për fat këtu, entet e institucionet, dhe personat që kishin të njëjtin problem me mua, më ndihmuan e më futën në një botë të re të mrekullueshme që ja vlen ta jetosh. Instrumentet e duhura të adoptuara në Itali më ndihmuan të shprehja sa më mirë. Sot teknologjia është 360 gradë por në vitet  '90 kur unë mbërrita, nuk qe kështu e përdorimi i kompjuterit në ato vite, më ndihmoj dhe në integrim social timin si dhe në sistemin e punës. E ky fakt për autonominë sociale e kulturore është mjaft i rëndësishëm."

Alba Kepi-Mund të themi se në Shqipëri do të ishte ndoshta e pamundur që sot të ishe një kampione e botës?

Arjola Dedaj- "Në Shqipëri nuk ka një komitet paralimpik për atletët me aftësi të kufizuar. E vështirë të vlerësosh persona me aftësi të kufizuar që duan t'i afrohen sportit. Shpresoj që dikush në Shqipëri të dëgjoj jo vetëm eksperiencën time  por dhe dëshmi të tjera, e që personat me aftësi të kufizuar të verbër si unë, të kenë mundësi të integrohen në shoqëri si në nivel sportiv ashtu dhe në nivel social e punësim. Mendoj se po të jepej mundësia t'u hapeshin dyert  e sportit dhe personave me aftësi të kufizuar, sporti do t'i dhuronte atyre shumë, pasi në nivel karakterial të dhuron autostimën e të bën të raportohesh me të tjerët në mënyrë të barabartë pa u ndjerë inferiore."

EMISIONET