Ekonomia dhe siguria, në fokus të takimit Carney-Trump më 7 tetor

Kryeministri kanadez Mark Carney planifikon të takohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump të martën në Uashington, për të diskutuar çështje ekonomike dhe të sigurisë, tha zyra e Carney të premten, ndërsa të dy vendet shqyrtojnë një pakt tregtar të Amerikës së Veriut.
Kanadaja ka zhvilluar bisedime për muaj të tërë me SHBA-në mbi një marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie, me qëllim heqjen e të gjitha tarifave amerikane mbi mallrat kanadeze, por këto bisedime kishin ngecur.
Carney tha muajin e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se negociatat tregtare me SHBA-në ishin duke vazhduar dhe se shumë çështje të mbetura do të diskutoheshin, në një shqyrtim të ardhshëm të marrëveshjes tregtare Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada, ose USMCA.
"Kanadaja dhe SHBA-ja nisën konsultimet muajin e kaluar që do të informojnë përgatitjet për shqyrtimin e parë të përbashkët të (USMCA-së)," tha zyra e Carney-t në një deklaratë të premten.
"Vizita e punës e kryeministrit do të përqendrohet në prioritetet e përbashkëta, në një marrëdhënie të re ekonomike dhe të sigurisë midis Kanadasë dhe SHBA-së."
Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për koment./ Reuters.

