Dokumentat e Biden, republikanët kërkojnë regjistrat. Shtëpia e bardhë: Nuk shënohen vizitat në shtëpitë private
Pas publikimit të dosjeve të klasifikuara që u gjetën në shtëpinë e presidentit Biden, republikanët kanë kërkuar të shohin regjistrat e vizitorëvë në shtëpinë e tij. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk ka regjistra të vizitorëve për shtëpinë private të Presidentit me argumentin se nuk është praktikë të mbash shënime për vizitat në shtëpitë private të tyre.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nuk ekzistojnë regjistra të vizitorëve në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në Wilmington të shtetit Delaware, ku u gjetën dokumente të klasifikuara nga koha kur ai ishte nënpresident.
Republikanët kanë kërkuar të shohin regjistrat në shtëpinë e tij në Delaëare pasi dosjet e klasifikuara u zbuluan atje.
Të hënën, zyra e këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë tha se nuk është praktikë standarde të mbash shënime se kush i viziton shtëpitë private të presidentëve.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se arsyeja për mungesën e tyre është se shtëpia në Delaëare është një rezidencë private.
“Si çdo president gjatë dekadave të fundit të historisë moderne, rezidenca e tij personale është personale. Por me marrjen e detyrës, Presidenti Biden riktheu traditën e mbajtjes së regjistrave të vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë publikimin e rregullt të tyre, pasi administrata e mëparshme ndërpreu një praktikë të tillë”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Të paktën 20 dokumente janë gjetur në shtëpinë e zotit Biden dhe në një zyrë që ai përdorte në Uashington.
Dokumentet datojnë që nga koha e tij si zëvendëspresident nën administratën Obama. Disa prej tyre u shënuan "Top Secret" - niveli më i lartë i klasifikimit - ka raportuar CBS News.
Paraardhësi republikan i zotit Biden, Donald Trump, nuk publikonte regjistrat e vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë gjatë katër viteve të tij në detyrë duke hequr dorë nga një prej traditave të presidences amerikane.
Republikanët kanë kërkuar të krahasojnë çështjen e dokumenteve të zotit Biden me atë të ish presidentit Trump, i cili përballet me një hetim penal federal për mënyrën se si trajtoi dokumentet e klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.
Shtëpia e Bardhë thotë se ekipi i presidentit Biden i ka dorëzuar dokumentet që ka gjetur. Zoti Trump nuk e kishte bërë këtë deri në një bastisje të FBI-së në muajin gusht në shtëpinë e tij në Florida.
Materiali i ndjeshëm në zyrën në Uashington u gjet në nëntor, por publiku mësoi për këtë nga një raportim i televizionit amerikan, CBS News, javën e kaluar.

