Dhjetëra mijëra persona protestojnë kundër qeverisë polake
Lech Walesa, ish-president polak, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, dhe lider i luftës kundër komunizmit, u është bashkuar figurave opozitare në krye të marshit.
Protesta është organizuar para zgjedhjeve legjislative, që mbahen në Poloni në vjeshtën e këtij viti, sipas REL.
Njerëzit kanë udhëtuar nga i gjithë shteti, pasi ish-kryeministri, Donald Tusk, udhëheqës i partisë opozitare të qendrës, Platforma Civile (PO), ka bërë thirrje për protesta, “kundër çmimeve të larta të jetesës, kundër gënjeshtrave, për demokraci, për zgjedhje të lira, dhe për Bashkimin Evropian”.
Liderët e shumicës së partive opozitare u kanë bërë thirrje mbështetësve që t’i bashkohen marshit kundër partisë në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, e cila e ka në krye Jaroslaw Kaczynskin.
“Vlerësohet se numri i protestuesve është 500.000 tani”, ka thënë zëdhënësi i organizatorëve të protestës, Jan Grabiec.
Protestuesit janë parë duke i mbajtur mbishkrimet “Mjaft është mjaft”, “Jo Polonisë autoritare”, si dhe e kanë fajësuar partinë në pushtet për rritjen e çmimeve.
Dikur udhëheqës i Këshillit Evropian, Tusk u ka thënë protestuesve se roli i opozitës është “i një rëndësie të njëjtë” me atë të viteve 1980.
Walesa, i cili ka kohë që nuk është aktiv në politikë, u thënë protestuesve se është në pritje të ditës kur partia nacionaliste dhe Kaczynski, do të largohen nga pushteti.
“Zoti Kaczynski, kemi ardhur për ty. Ajo ditë ka ardhur”, ka thënë Walesa.
Protesta e 4 qershorit është mbajtur në ditën kur është shënuar 34-vjetori i mbajtjes së zgjedhjeve pjesërisht të lira në Poloni, pas rënies së komunizmit në Evropë.