Dështojnë negociatat ndërpartiake gjermane për migracionin
Negociatat midis qeverisë gjermane dhe konservatorëve të opozitës mbi shtrëngimin e politikës së azilit dhe migracionit, pas një goditjeje vdekjeprurëse me thikë nga një azilkërkues i refuzuar, përfunduan pa rezultat.
Udhëheqësi i opozitës, Friedrich Merz deklaroi se bisedimet kishin dështuar për shkak të refuzimit të koalicionit të qendrës së majtë, të kancelarit Olaf Scholz, për të zbatuar refuzime gjithëpërfshirëse të azilkërkuesve në kufijtë e Gjermanisë – kërkesa kryesore e kristian-demokratëve të tij dhe partisë së tyre simotër bavareze, Bashkimi Kristian-social. (CDU/CSU).
“Kjo do të thotë se përpjekja për të gjetur një rrugë të përbashkët ka dështuar”, tha ai pas bisedimeve të dyta ndërpartiake mbi migracionin në Berlin.
Scholz akuzoi Merzin se po vepronte me keqbesim, duke thënë se ishte një “përfundim i paramenduar” që lideri i CDU nuk do të ishte i hapur për të gjetur një rrugë të mesme edhe para fillimit të takimit.
“Udhëheqja duket ndryshe. Karakteri, ndershmëria dhe vendosmëria janë ato që i duhen këtij vendi. Dhe jo një dredhi kaq e vogël dhe aktrim i një skene provinciale”, tha Scholz.
Bisedimet përfunduan pa u njoftuar për ndonjë veprim të mëtejshëm konkret.
Thorsten Frei, një ligjvënës i lartë që përfaqësoi CDU/CSU në negociata, tha se propozimet e paraqitura nga qeveria nuk shkonin aq larg sa duhet.
Ai tha se masat synonin vetëm largimin më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar, jo kufizimin e numrit të mbërritjeve në radhë të parë.
Përpara bisedimeve, konservatorët kishin vënë kusht për pjesëmarrjen e tyre që të diskutohej refuzimi i emigrantëve në kufijtë e Gjermanisë – ndryshe nga bisedimet e para të mbajtura javën e kaluar.
Burimet thanë se ministrja e Brendshme Nancy Faeser sugjeroi që në të ardhmen, policia federale të kontrollonte nëse një shtet tjetër anëtar i BE-së ishte përgjegjës për kryerjen e procedurës së azilit, në rast të hyrjes së paautorizuar nga dikush që kërkon mbrojtje.
Më pas, policia federale mund t’i drejtohej gjykatës kompetente për ndalim për shkak të rrezikut të arratisjes, me kusht që kapaciteti i paraburgimit të ishte i disponueshëm.
Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët mund të fillojë më pas një procedurë të përshpejtuar për ripranim nga vendi përgjegjës në përputhje me të ashtuquajturat Rregulla të Dublinit, të cilat parashtrojnë se cili shtet i BE-së është përgjegjës për vlerësimin e një kërkese për azil.
Nga ana e qeverisë, socialdemokratët (SPD) e Scholzit dhe të gjelbrit i quajtën CDU dhe CSU, dy partitë kryesore në nivel kombëtar, si “të papërgjegjshme”.
Sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Kevin Kuhnert, tha se ”ditët e fundit kreu i CDU-së, Merz… donte që bisedimet të dështonin”.
Megjithatë, Kuhnert tha se bisedime shtesë midis qeverisë dhe CDU/CSU për frenimin e migracionit të parregullt mbeten të dëshirueshme.
“Por, ato kërkojnë seriozitet dhe vullnet për kompromis. Të dyja sot u lanë në hije nga konsideratat taktike nga ana e opozitës”, tha ai.
Të gjelbrit gjithashtu reaguan ashpër ndaj qëndrimit të CDU dhe CSU.
”Çfarë farse”, tha kreu i Partisë së Gjelbër, Omid Nouripour për portalin e lajmeve ”T-online”.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me përgjegjësinë”, theksoi ai.
Ai akuzoi se CDU/CSU e kishte bërë të qartë se ishte e paaftë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
Takimi për migracionin erdhi pak më shumë se një javë përpara se votuesit në landin e Brandenburgut, afër Berlinit, të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një qeveri të re, me migracionin si një shqetësim kryesor.
Partitë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, janë të shqetësuara se ”Alternativa për Gjermaninë” do të dalë mirë në zgjedhjet rajonale të Brandenburgut, ashtu siç bëri në zgjedhjet e fundit rajonale në Turingi dhe Saksoni.
Një sulm vdekjeprurës me thikë në qytetin gjerman të Solingen muajin e kaluar i shtyu çështjet e migracionit përsëri në qendër të axhendës politike.
Tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në goditjet me thikë në një festival të qytetit.
Një 26-vjeçar sirian, të cilit autoritetet thonë se kërkesa e tij për azil iu refuzua, u akuzua për vrasje dhe i dyshuar për anëtarësim në grupin terrorist të Shtetit Islamik.