Deportimet në masë/ The Economist: Sa larg do të shkojë Donald Trump për të hequr qafe emigrantët e paligjshëm?

Deportimet në masë/ The Economist: Sa larg do të shkojë

Sa larg do të shkojë Donald Trump për të hequr qafe emigrantët e paligjshëm? Është ndër premtimet e tij kryesore politike, por pengesat janë të shumta, shkruan The Economist.

“Do të përdorim Gardën Kombëtare dhe do të shkojmë aq larg sa më lejohet të shkoj, sipas ligjeve të vendit tonë”, tha Donald Trump në nëntor, duke shpjeguar planin e tij për të çliruar Amerikën nga emigrantët e paligjshëm.

“Çfarëdo që të nevojitet për t’i nxjerrë jashtë”. Nga të gjitha politikat që presidenti i zgjedhur ka premtuar se do të ndjekë në ditët e para të kthimit në detyrë, asnjë nuk i duket aq e rëndësishme sa dëbimi. Emigrimi është çështja kryesore, tha ai për “Time”.

Fjalimet e tij për këtë temë janë bërë gjithnjë e më të ashpra. Ka thënë se emigrantët pa dokumente po “helmojnë gjakun e vendit tonë”, se ata vijnë “nga burgjet dhe çmenditë” dhe nga “bandat e egra”, se kanë “pushtuar” pjesë të Amerikës dhe se zonat e tyre të banimit janë një “zonë lufte”.

Trump ka pretenduar se mund të ketë 21 milionë emigrantë të jashtëligjshëm në vend, sipas tij një “pushtim” që justifikon përdorimin e ushtrisë për t’i dëbuar. Ai këmbëngul se zgjidhja e vetme është “operacioni më i madh i dëbimit në historinë amerikane”. Trump i ka kushtuar prej kohësh vëmendje emigracionit. Në fushatën e vitit 2016, ai premtoi se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit me Meksikën.

Menjëherë pasi mori detyrën në mandatin e parë në vitin 2017, lëshoi një mori urdhrash ekzekutivë për emigracionin, duke përfshirë ndalimin e vizave për aplikantët nga shtete kryesisht myslimane dhe udhëzime për agjencitë federale që të përshpejtonin ndërtimin e murit kufitar dhe për të ndaluar më shumë emigrantë të paligjshëm.

Por këto nisma e humbën shpejt vrullin, për shkak të pengesave ligjore, qëndresës institucionale dhe reagimit publik. Trump ka sinjalizuar se do të nisë një vorbull të ngjashme në mandatin e dytë. Sa larg do të shkojë ai këtë herë për të mbajtur premtimet e fushatës? Në vitin 2017, Trump emëroi në poste të larta këshilltarë të matur, të cilët më pas u përpoqën të frenonin impulset e tij të shfrenuara.

Por në këtë administratë të re, postet kryesore do të mbahen nga militantë MAGA, të cilët janë të njohur për qëndrimet armiqësore ndaj emigrantëve. Zëvendësshefi i Shtabit, Stephen Miller, është i njohur për pikëpamjet kundër emigracionit dhe ka luftuar kundër reformës dypartiake të emigracionit në Kongres, që nga viti 2013.

“Kam Zotin si dëshmitar, – deklaroi ai vitin e kaluar, – se nga ky vend do të largohen me shpejtësi miliona njerëz të cilët nuk kanë të drejtë të jenë këtu”.

Një detyrë e ndërlikuar

Kolegu i zotit Miller do të jetë Tom Homan, i cili gjatë mandatit të parë të Trump, drejtoi agjencinë “Emigracioni dhe Zbatimi i Doganave” (ICE), e cila merret me deportimet.

Në mandatin e dytë, ai është emëruar “car i kufirit” dhe ka kërcënuar me burg zyrtarët lokalë që nuk pranojnë të ndërmarrin dëbimet masive. Dikur, Homan ka përkrahur ndarjen nga prindërit të fëmijëve pa dokumente, si një mënyrë për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Sidoqoftë, Homan gjithashtu ka punuar në burokracinë e emigracionit që nga vitet 1980, nën disa presidentë demokratë dhe republikanë. Zyrtarët që e njohin nga afër, thonë se ai e kupton se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë qeveria federale.

Detyra që i pret është e frikshme. Nuk dihet me saktësi se sa emigrantë të paligjshëm ka në Amerikë. Trump pretendon se Biden ka lejuar 15 ose 20 milionë dhe se të gjithë duhet të largohen. Por këto shifra duket se janë sajuar. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), vlerësoi se në vitin 2022, kishte 11 milionë emigrantë pa leje qëndrimi në Amerikë.

Që atëherë, agjentët e Patrullës Kufitare kanë kapur miliona të tjerë, kryesisht pranë kufirit meksikan. Shumë prej tyre kanë kërkuar menjëherë azil, gjë që i lejon të qëndrojnë në Amerikë, ndërsa vlerësohet kërkesa e azilit.

Firma këshillimore Oxford Economics është përpjekur të masë numrin e azilkërkuesve, të “të larguarve” (njerëzve që i shmangen Patrullës Kufitare), dhe atyre që kanë tejkaluar afatin e vizave.

Firma ka arritur në përfundimin se në Amerikë, kanë hyrë 8.3 milionë emigrantë pa leje qëndrimi, që nga fillimi i vitit 2022, megjithëse azilkërkuesit përbëjnë më shumë se gjysmën e tyre dhe teknikisht nuk janë emigrantë të paligjshëm. Sipas një vlerësimi tjetër, numri i njerëzve pa dokumente është më shumë se 13 milionë. Shumica jetojnë në shtetet më të populluara, si Kaliforni, Teksas, Florida dhe Nju Jork.

Numërimi i dëbimeve është gjithashtu i ndërlikuar. Kur një emigrant i kapur nga Patrulla Kufitare vendos të kthehet në Meksikë në vend që të arrestohet, ky quhet një “kthim”. Këto ishin të zakonshme gjatë presidencës së George W. Bush-it.

Por tashmë është bërë popullor kërkimi i azilit. “Largimet”, kur autoritetet lëshojnë një urdhër formal dëbimi, u rritën në kohën e Barack Obama-s, por më pas ranë sërish, edhe gjatë mandatit të parë të Trump (shih grafikun 1).

Pyetja kryesore është se çfarë nënkupton vërtet Trump me “dëbim në masë”. Bashkëpunëtorët e tij e dinë se pengesat ligjore, logjistike, financiare dhe politike, nuk lejojnë dëbimin e miliona njerëzve në katër vjet. Por ata kanë përmendur “Operacionin Wetback”, një plan dëbimi i vitit 1954, kur u dëbuan nga vendi deri në 1.1 milionë njerëz.

Zëvendëspresidenti J.D. Vance ka thënë se administrata mund të “fillojë me 1 milion… dhe pastaj të rrisim numrin e të dëbuarve”. Edhe kjo është më shumë se dyfishi i njerëzve të deportuar nga ICE në vitin 2012, që ishte periudha më e afërt e kulmit të dëbimeve.

Madje edhe deportimet në këtë shkallë të zvogëluar mund të dëmtojnë ekonominë e Amerikës dhe të shkaktojnë një reagim të zemëruar publik.

Zyrtarët e administratës Trump thonë se do t’u japin përparësi kriminelëve të rrezikshëm dhe atyre që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare, siç në fund të fundit kanë bërë edhe administratat e mëparshme. Por John Sandweg, që ka qenë drejtor i agjencisë ICE gjatë administratës Obama, thekson se nuk ka kaq shumë kriminelë mes të ardhurve pa dokumente.

Që nga viti 2017, në gjykatat e emigracionit, vetëm 1.4% e rasteve të reja kishin të bënin me aktivitetin kriminalistik të një emigranti, duke mos përfshirë hyrjen e jashtëligjshme në vend. Nga këta persona pa dokumente që kanë kryer vepra penale, shkelja më e zakonshme përveç hyrjes së paligjshme, ka qenë ngarja e automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Nëse Trump do të merrej vetëm me dëbimin e kësaj përqindjeje të vogël të popullsisë pa dokumente, atëherë do të dilte i saktë konstatimi i zotit Jeh Johnson, drejtuesit të DHS-së gjatë administratës Obama, i cili ka thënë se premtimi i Trump-it për “deportime në masë”, është thjesht një slogan bosh për militantët naivë.

Për të rritur shifrat e deportimit, Trump-it do t’i duhej të zgjeronte rrjetën. Pas kriminelëve, shënjestra e radhës normalisht do të ishin emigrantët që janë urdhëruar tashmë të largohen nga vendi dhe nuk janë larguar. ICE llogarit se në vend mbeten 1.4 milionë njerëz të tillë.

Shumë janë në burg. Disa të tjerë vëzhgohen me teknologji si etiketat e kyçit të këmbës. Vitin e kaluar, u larguan vetë afro 38,000 njerëz në pritje të dëbimit. Trump ka mbështetur përdorimin e forcës, kështu që janë të mundshme bastisjet në vendet e punës. Sipas një analize të dhënash nga Qendra Kërkimore Pew, emigrantët e paautorizuar përbënin gati 5% të fuqisë punëtore të Amerikës në vitin 2022, ose afërsisht 8.3 milionë njerëz. Numri i tyre do të jetë rritur që atëherë.

Megjithëse disa emigrantë përdorin dokumente të falsifikuara, skemat qeveritare që i lejojnë punëdhënësit të kontrollojnë statusin e emigrimit të punëtorëve, e kanë frenuar këtë praktikë. Në disa industri, si bujqësia dhe ndërtimi, shumë punëdhënës thjesht bëjnë një sy qorr. “Ne e dimë se punëdhënësit do të mërziten nga kontrollet më të rrepta”, tha zoti Homan për “Washington Post”.

Komunitetet që varen nga puna e emigrantëve janë të shqetësuar. Storm Lake, një qytezë me 11,000 banorë në Iowa-n Veriperëndimore, ka një qendër tregtare vietnameze, dyqane që shesin fustane meksikane dhe dyqane ushqimore afrikane. Storm Lake ka përjetuar disa valë emigrimi, nga Laosi, Meksika, Amerika Qendrore dhe së fundmi, Mikronezia.

Në një shtet si Iowa, ku 90% e popullsisë është e bardhë, kjo ka sjellë tension. “Kishte njerëz që vinin në komisariat dhe më thoshin: ‘është detyra jote t’i largosh këta njerëz’”, thotë Mark Prosser, ish-shefi i policisë së qytetit.

Sot, shumica e banorëve në Storm Lakers janë krenarë për larminë etnike. Megjithatë, qarku përreth është thellësisht konservator. Trump e fitoi atë në nëntor me 33 pikë, ndoshta për shkak të premtimit për të dëbuar miliona emigrantë. Zoti Prosser argumenton se bastisjet tërheqin vëmendjen e mediave dhe prandaj i pëlqejnë Trump-it, por nuk sjellin ndonjë ndryshim domethënës.

Në vitin 1996, Prosser vetë ndihmoi në planifikimin e një bastisjeje, për të kapur emigrantët që po përdornin dokumente false për të punuar në fabrikat e paketimit të mallrave. Por u deshën javë të tëra planifikimi të përbashkët me agjentë federalë për të siguruar vetëm disa dhjetëra arrestime dhe dëbime.

“Kemi shpenzuar shumë para dhe shumë kohë duke menduar se ky do të ishte një lloj hetimi efektiv”, kujton ai, “por… ne prishëm marrëdhëniet midis qytetit dhe komunitetit tonë të emigrantëve”.

Shumë vendas mendojnë se Trump do të trembet nga rritja e çmimeve të mishit në fabrikat e paketimit. Kompania Tyson gjithsesi pohon se nuk punëson emigrantë të paligjshëm. Hapi më i skajshëm do të ishte nëse agjencia e deportimit ICE do të fillonte gjuetinë e emigrantëve pa leje qëndrimi, të cilët nuk kanë kryer ndonjë vepër penale në vend. Në vitin 2022, gati 80% e emigrantëve pa leje qëndrimi kishin jetuar në vend për më shumë se një dekadë.

Rreth 5.7 milionë amerikanë, shumica e tyre fëmijë, jetonin me një prind pa dokumente. Në një seancë të fundit në Gjykatën e Emigracionit në Dallas, një grua amerikane dhe fëmijët e saj të rritur do të dëshmonin para gjykatës se sa do të shkatërroheshin jetët e tyre nëse dëbohej nga vendi i ati i fëmijëve, një meksikan i arrestuar për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.

Ai kishte ardhur për herë të parë në Amerikë në vitin 1998. Edhe pa një fushatë deportimi në masë, emigrantë si ai ndahen nga familjet e tyre çdo ditë. Trump thotë se, që të mos ndahen familjet, bashkëshortët amerikanë ose fëmijët e emigrantëve, mund të largohen gjithashtu nga vendi.

Ai dëshiron t’i japë fund edhe shtetësisë automatike për të gjithë të lindurit në Amerikë, edhe pse kjo është e vendosur në Kushtetutë. Ish-zyrtarët e administratës Trump mendojnë se ai mund të ndalojë lëshimin e pasaportave për fëmijët e emigrantëve pa leje qëndrimi. Megjithëse një vendim i tillë do të kundërshtohej në gjykatë, ai do të trondiste sistemin e emigracionit.

Është e mundur që fjalët e ashpra të Trump për dëbimin masiv kanë për qëllim të shkurajojnë ardhjen e më shumë emigrantëve në Amerikë dhe të bindin ata që janë tashmë në vend, që të largohen.

Ai mund t’ua vështirësojë emigrantëve udhëtimin ose hapjen e një llogarie bankare pa prova nënshtetësie. Zyrtarët në qytezën Storm Lake thonë se banorët kanë filluar të pyesin nëse duhet të largohen. Disa studime kanë dalë në përfundimin se “Operacioni Wetback” kishte qenë i suksesshëm sepse njerëzit u larguan me dëshirë.

Por kufiri me Meksikën ishte aq i pambrojtur në vitet 1950, sa që punëtorët mund të ktheheshin në Meksikë, të prisnin sa të kalonte vala e deportimeve dhe pastaj të vinin sërish në Amerikë. Kjo nuk është më e mundur.

Çfarëdo qasjeje që do të marrë Trump, ai do të përballet me të njëjtat kufizime me të cilat janë përballur edhe presidentët e mëparshëm. Kryesori është sistemi ligjor. Numri i rasteve që presin gjykimin në gjykatat e emigracionit është dyfishuar që nga viti 2021, duke arritur në 3.7 milionë raste (shih grafikun 2). Në fillim të vitit 2023, emigrantët mund të prisnin mesatarisht rreth tre vjet për një vendim.

Njerëzit që humbasin çështjet, mund të apelojnë. Ka dy mënyra kryesore se si Trump mund të përpiqet të kapërcejë sistemin gjyqësor. Gjatë mandatit të parë, ai zgjeroi rregullin e “largimit të përshpejtuar” për ata njerëz që nuk kërkojnë azil ose që nuk mund të bëjnë një kërkesë të besueshme për të.

Më parë, deportimet kryheshin vetëm për emigrantët që arrestoheshin brenda dy javësh që nga mbërritja dhe 100 milje nga kufiri, ndërsa Trump e zgjeroi këtë rregull për njerëzit kudo në Amerikë që kishin mbërritur brenda dy viteve të fundit.

Pritet që kjo politikë të rikthehet. Një plan më i skajshëm do të ishte zbatimi i Aktit të Armiqve të Huaj të vitit 1798, i cili i lejon presidentit të arrestojë dhe të dëbojë shtetasit e vendeve që janë në luftë me Amerikën.

Ky urdhër u përdor së fundmi nga Franklin Roosevelt gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të arrestuar gjermanët, italianët dhe japonezët. Trump argumenton se prania e bandave të huaja kriminale është e njëjta gjë si pushtimi, kështu që Amerika mund të quhet një vend në luftë. Vështirë se gjykatat do të pajtoheshin me këtë interpretim, por do t’i duhej kohë për ta ndaluar atë.

Presidenti do të kufizohet edhe nga problemet logjistike. Zoti Homan thotë se i duhen 100,000 shtretër paraburgimi, më shumë se dyfishi i totalit të tanishëm. Trump mund të shpallë një emergjencë kombëtare, që do ta lejonte të përdorte fondet e mbrojtjes për të ndërtuar qendra burgimi në bazat ushtarake.

Ai përdori të njëjtin proces në vitin 2019 për të financuar murin kufitar. Miller ka hedhur idenë e ndërtimit të kampeve me tenda në Teksas, që mund të shërbejnë si një lloj purgatori midis arrestimit dhe dëbimit. Komisioneri i shtetit madje ka blerë një parcelë prej 1,400 hektarësh pranë zonës Rio Grande dhe ka ofruar t’ia japë me qira zotit Trump.

Transportimi i emigrantëve në vendet e tyre është gjithashtu i vështirë. Vetëm kanadezët dhe meksikanët mund të kalojnë kufirin. Riatdhesimet e tjera kërkojnë transport me avion. Në vitin 2023, kreu i agjencisë ICE i tha Kongresit se një fluturim mesatar kushtonte rreth 17,000 dollarë në orë.

Dhe jo çdo shtet dëshiron të marrë mbrapsht qytetarët e vet, megjithëse presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka lënë të kuptohet se Meksika mund të pranojë shtetasit jomeksikanë, ndoshta për të shmangur goditjen me tarifa.

E gjithë kjo është një nismë mjaft e shtrenjtë. Republikanët në Kongres po planifikojnë të rrisin shpenzimet për zbatimin e saj. Por nuk është e qartë se sa shpejt do të realizohet. Këshilli Amerikan i Emigracionit vlerëson se dëbimi i 1 milion njerëzve në vit do të kushtonte të paktën 88 miliardë dollarë në vit. Kjo është pothuajse sa trefishi i totalit të buxheteve të agjencisë ICE dhe Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit.

Edhe politika do të kufizojë ambiciet e Trump. Që një fushatë e dëbimit në masë të jetë e suksesshme, shtetet dhe qytetet amerikane duhet t’i dorëzojnë emigrantët pa leje qëndrimi, tek agjentët federalë. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti i Sirakuzës, afërsisht tre të katërtat e arrestimeve të kryera nga agjencia ICE midis viteve 2014 dhe 2017 ishin kryer falë forcave lokale të zbatimit të ligjit që kishin dorëzuar njerëzit pa dokumente te forcat federale.

Por shumë juridiksione të drejtuara nga demokratët nuk pranojnë të bashkëpunojnë me agjencinë ICE. Trump mund të përpiqet t’i detyrojë këto shtete dhe qytete që të bashkëpunojnë, duke kërcënuar se do të shkurtojë fondet federale.

Ndërkohë, do të ishte shumë më e lehtë po të përqendrohej në shtete dhe qytete që janë të gatshme të bashkëpunojnë. Ndërsa kalimet kufitare u rritën gjatë administratës Biden, qyteti Denver mirëpriti më shumë emigrantë për person, se çdo qytet tjetër i madh. Por kryebashkiaku demokrat Mike Johnston ende nuk i pranon dëbimet në masë.

“Ne do të bashkëpunojmë në deportimin e kriminelëve të dhunshëm, – thotë ai, – por nuk duam të shohim një grup ushtarësh që marrin një vajzë të mitur nga klasa e historisë”.

Këtu ai e hedh fjalën te kërcënimi i Trump se do të përdorë ushtrinë për të kryer deportime. Forcat e Armatosura nuk kanë të drejtë të imponojnë zbatimin e ligjit civil. Megjithatë, presidenti mund të përdorë Gardën Kombëtare për të ndihmuar me detyra logjistike si transporti, mbikëqyrja dhe dokumentet, ndërsa arrestimin ia lë në dorë Patrullës Kufitare.

“Karta e fundit nën mëngë është Akti i Kryengritjes”, thotë Joseph Nunn nga Qendra Brennan për Drejtësi, një institut kërkimi. Ky akt i lejon presidentit që të përdorë ushtrinë për të shuar rebelimet ose për të rivendosur rendin, diçka që Trump mund të argumentojë se është e nevojshme edhe në këto rrethana.

Se si do të reagojnë amerikanët ndaj fushatës së deportimit të Trump, do të varet nga sa e rreptë është ajo. Vitin e kaluar, sondazhi Pew zbuloi se 56% e votuesve të regjistruar mbështesnin dëbimet masive nga vendi. Megjithatë, 58% donin që emigrantët pa leje qëndrimi të qëndronin në vend, nëse janë të martuar me një shtetas amerikan.

Gjatë mandatit të parë të Trump, fotot e fëmijëve në kafaze, ngjallën zemërim kombëtar, duke e detyruar administratën të ndërpresë ndarjen e familjeve. Zotërinjtë Miller dhe Homan ishin arkitektët e asaj politike. Ndoshta ata kanë mësuar tashmë se çfarë janë të gatshëm të tolerojnë amerikanët në emër të sigurisë së kufirit./ Monitor

EMISIONET