Dënohen me burg dy burrat që prenë pemën ikonike 'Sycamore Gap' në Britani

Dy burra janë dënuar me nga katër vjet e tre muaj burg secili për prerjen e pemës së famshme dhe historike “Sycamore Gap” në Angli, një akt që gjyqtarja e përshkroi si “trumë të pastër mendjemadhësie”.
Daniel Michael Graham, 39 vjeç, dhe Adam Carruthers, 32 vjeç, të dy nga Cumbria, u shpallën fajtorë për dëmtim kriminal pasi u filmuan duke përdorur një sharrë elektrike për të prerë pemën e vendosur pranë Murit të Hadrianit – një monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 28 shtatorit 2023, kur dyshja udhëtoi natën drejt vendit të ngjarjes dhe shfrytëzoi stuhinë Agnes për të rrëzuar pemën mbi murin historik.
Në sallën e gjyqit në Newcastle, gjyqtarja znj. Justice Lambert hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes për “budallallëk të dehur”, duke thënë se akti kishte kërkuar planifikim të lartë, koordinim dhe aftësi teknike.
Pema më shumë se 100-vjeçare, e njohur gjerësisht për bukurinë e saj natyrore dhe paraqitjen në filmin “Robin Hood: Prince of Thieves”, ishte kthyer në simbol për qetësinë dhe natyrën e paprekur të Northumberland.
Shkatërrimi i saj shkaktoi një valë të madhe zemërimi dhe dhimbjeje në publik, me Fondin Kombëtar të Trashëgimisë që e përshkroi si “një humbje të pazëvendësueshme”.
Prokurorët thanë se videoja e filmuar nga vetë Graham tregon momentin e prerjes dhe se të dy burrat, pas aktit, u përpoqën të përfitonin nga vëmendja publike.
Gjykata dëgjoi gjithashtu se Carruthers përdori bojë spraj dhe më pas preu një pjesë nga trungu, ndërsa Graham e regjistroi me celular.
Në përpjekje për zbutje, avokatët e të pandehurve përmendën probleme me shëndetin mendor dhe pendesën për veprimet e tyre, ndërsa dëshmitë treguan se të dy kishin qenë objekt sulmesh dhe urrejtjeje pas ngjarjes.
Megjithatë, gjyqtarja theksoi se veprimi i tyre nuk ishte as spontan dhe as pa mendim, por i nxitur nga një ndjenjë egocentrizmi dhe kënaqësie nga shkatërrimi.
Pavarësisht dëmit, zyrtarët e trashëgimisë njoftuan se filizat nga pema e rrëzuar po rriten dhe pritet të mbillen në vende të ndryshme në Angli si pjesë e një përpjekjeje për të ruajtur trashëgiminë e saj simbolike.

