Demokracia në sulm global, Princi Harry kritika për “ligjin e abortit” gjatë fjalimit në OKB

Princi Harry i Britanisë është shprehur se cënimi i të drejtave kushtetuese në Shtetet e Bashkuara, pas vendimit për ligjin e abortit, ishte pjesë e "një sulmi global ndaj demokracisë dhe lirisë". Duka i Sussex-it i adresoi këto kritika nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Princi Harry, i ftuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për Ditën e Nelson Mandelës, është shprehur se “demokracia dhe liria janë në sulm global”.
Ai iu referua vendimit të Gjykatës së Lartë në SHBA, muajin e kaluar, që ktheu të drejtat e abortit përsëri në shtete individuale.
Duka i Sussex-it përmendi gjithashtu pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia midis problemeve me të cilat përballet bota.
“Ky ka qenë një vit i dhimbshëm në një dekadë të dhimbshme. Ne po jetojmë përmes një pandemie që vazhdon të shkatërrojë komunitetet në çdo cep të globit. Ndryshimet klimatike po bëjnë kërdi në planetin tonë. Dhe nga lufta e tmerrshme në Ukrainë deri te kthimi i së drejtës kushtetuese në SHBA, ne jemi dëshmitarë të një sulmi global ndaj demokracisë dhe lirisë, shkaku i jetës së Mandelës."
37-vjeçari i bëri homazhe Nelson Mandelës, njeriut dhe liderit të lirisë dhe pajtimit, me rastin e 104-vjetorit të lindjes ndërsa paralajmëroi për ndikimin e ndryshimeve klimatike në Afrikë dhe në botë.
Kjo krizë vetëm do të përkeqësohet, nëse udhëheqësit tanë nuk kryejnë detyrat e tyre për të shpëtuar njerëzimin, theksoi princi i cili shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij Meghan, Dukesha e Sussex-it.
Kombet e Bashkuara që prej vitit 2009 caktuan 18 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e tij.


