Dasma e manjatit të teknologjisë, Jeff Bezos në Venecia zhvendoset në një zonë të izoluar, shkak, shqetësimet e sigurisë

Një festë dasme e personazheve të famshëm për themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, dhe gazetaren Lauren Sanchez në Venecia këtë javë ,është zhvendosur në një pjesë të izoluar dhe më pak të arritshme të qytetit lagunor, për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe për të parandaluar rrezikun e protestave, thanë burimet.
Manjati miliarder i teknologjisë dhe e fejuara e tij kishin caktuar një vend në Cannaregio për të festuar pas martesës së tyre, një zonë e njohur dhe qendrore e jetës së natës, por frika nga demonstratat çoi në një ndryshim plani, shtuan burimet.
Për javë të tëra, disa banorë vendas dhe grupe presioni janë ankuar se ngjarja do ta shndërrojë qytetin piktoresk të gondolave dhe pallateve, në një park argëtimi privat për të pasurit, duke kërcënuar bllokadat paqësore.
Pas ceremonisë së dasmës, vendndodhja dhe data e saktë e së cilës mbeten sekrete, megjithëse pritet të jetë midis të enjtes dhe të shtunës, rreth 200-250 të ftuar VIP nga biznesi i spektaklit, politika dhe financat do të shkojnë tani në një sallë të Arsenale, një kompleks i madh i shekullit të 14-të në lagjen lindore Castello.
E rrethuar nga uji dhe e pamundur për t’u arritur nga toka kur urat lidhëse janë të ngritura, salla konsiderohet një vend më i sigurt se Scuola Grande della Misericordia e Cannaregio-s, një ish-shkollë fetare mesjetare.
Fillimisht një kantier gjigant detar që i shërbente perandorisë detare të Republikës Veneciane, Arsenali është restauruar dhe shndërruar në një hapësirë ekspozite për panairin e artit të Bienales së Venedikut.
Bezos, 61 vjeç, kryetar ekzekutiv i gjigantit të tregtisë elektronike Amazon dhe numri 4 në listën e miliarderëve të Forbes, u fejua me Sanchez, 55 vjeç, në vitin 2023, katër vjet pas prishjes së martesës së tij 25-vjeçare me Mackenzie Scott.
Vendimi i çiftit për t’u martuar në Venecia vjen pas dasmave të tjera të personazheve të famshëm në qytetin lundrues, siç është ajo e aktorit amerikan George Clooney dhe avokates së të drejtave të njeriut, Amal Alamuddin në vitin 2014.
“Lajmi se Bezos është arratisur nga Misericordia është një fitore e madhe për ne”, tha Tommaso Cacciari, një udhëheqës i fushatës “S’ka Hapësirë për Bezosin” që po udhëheq frontin kundër dasmave.
Grupi ka njoftuar më shumë protesta për të shtunën në kanalet, urat dhe rrugët e ngushta të Venedikut, duke u zotuar ta kthejnë ngjarjen në një "makth" për Bezosin dhe të ftuarit e tij.
Luca Zaia, president i rajonit të Venetos që përfshin qytetin, kritikoi protestat, duke thënë se 90 avionët privatë që transportojnë mysafirë në aeroportet aty pranë do të sjellin të ardhura deri në 48 milionë euro (55.69 milionë dollarë) për bizneset lokale.
Vajza e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Ivanka dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, të cilët kanë qenë me pushime në Toskanë, vizituan fabrikën e prodhuesit të makinave sportive luksoze, Ferrari, gjatë rrugës për në dasmën e tyre në Venecia, tha një burim i njohur me lëvizjet e tyre./ Reuters.

